Sivjet festojmë 90 vjet nga lindja e Jordan Radiçkovit /24.10.1929/. Një nga mjeshtrit më të mëdhenj të tregimit të shkurtër, një dramaturg i shkëlqyer dhe skenarist, dy herë i përcaktuar për dekoratën Nobel për letërsi, Radiçkovi është një nga autorët emblematikë në letërsinë e re bullgare, i cili dallohet me një shprehje dhe një stil të veçantë. “Muaji janar – muaji i Radiçkovit”, ky është emri i projektit, me të cilin Kryeqyteti Evropian i Kulturës shënon përvjetorin e lindjes së tregimtarit të talentuar.
Para disa ditëve në Shtëpinë Meksikane të Galerisë së Qytetit të Plovdivit u hap ekspozita e vetme për nga lloji i vet me fotografi nga arkiva të panjohura bile dhe nga trashëgimtarët e Radiçkovit. Ekspozita është e titulluar “Oborret e pandriçuara” dhe prezanton udhëtimet e Radiçkovit nëpër gjerësinë siberiane në fillim të viteve 60 të shekullit të kaluar. Atëherë autori kalon disa muaj në territorin e Siberisë, duke u kthyer i përmbushur me përshtypje të shumta dhe përjetime, të cilat i transmeton në tregimin e vet-udhëtim me të njëjtin titull. Krahas fotografive bardhë e zi qe eksponuar për herë të parë dhe botimi i specializuar i shënimeve të shkrimtarit, të mbledhura në të ashtuquajturat “Fletore siberiane”.
“Ky është njëfarë projekti, i cili përveç se është bazë për shkrimin e historisë së udhëtimit të tij “Oborret e pandriçuara”, mund të lexohet dhe si një libër krejtësisht i veçantë”, thotë nipi i shkrimtarit, i cili mban emrin e tij – Jordan Radiçkov.
“Udhëtimi i tij deri në Siberi ka qenë i gjatë dhe duket se ka lënë mbresë mbi të gjithë jetën e tij dhe punën si shkrimtar pas kësaj. Shënimet e tij po kështu janë një tekst origjinal, me një thellësi të tillë dhe njerëzi, saqë ne vendosëm se ai mund të ekzistojë veçmas, dhe jo vetëm si shtesë ndaj librit të udhëtimit nga Siberia. Teksti ka jo vetëm një vlerë artistike, por është i vlefshëm sepse është i vetmi nga procesi i punës i autorit, i cili arrin deri tek ne. Ky është dhe shkaku të prezantojmë ekspozitën, e cila ilustron disa nga personat dhe vendet e përshkruara nga Jordan Radiçkovi në “Oborret e pandriçuara”. Në të ka kuadro të shkëlqyera, të fotografuara nga një fotograf i panjohur gjatë vitit 1963. Disa nga fotografitë duken si kompozicione të posaçme fotografike, por në fakt janë një rastësi absolute dhe kjo është një nga gjërat interesante të cilat shikohen në ekspozitë. Ekspozita qe e paraqitur dhe në Sofje përpara 1 muaji, por atëherë nuk kishim kohë të lajmë që të gjitha fotografitë. Tani në qytetin Plovdiv tregojmë një pamje më të plotë nga udhëtimi i Radiçkovit në Siberi. Mjaft njerëz na shkruan dhe nga qytete të tjera të vendit, prandaj shpresoj që ekspozita të vazhdojë udhëtimin e vet gjatë vitit 2019.”
Krahas inaugurimit të ekspozitës u projektua dokumentari për Jordan Radiçkovin – “Kronika çerkaze”. Filmi është krijuar gjatë vitit 1999 dhe është një nga bisedat e pakta të incizuara me shkrimtarin, i cili tregon mendimet e tij për kinemanë, teatrin, letërsinë, traditat dhe jetesën në Bullgari.
“Ka dhe një histori të treguar në librin e udhëtimeve “Oborret e pandriçuara”, ajo mund të shihet në foto dhe adhuruesit e Radiçkovit menjëherë do të kujtohen – thotë Jordan Radiçkovi i ri dhe vazhdon: Kjo është një fotografi e gjyshit tim me një vajzë të vogël – një jetim, për të cilin bëhet fjalë në libër. Ka qenë i adoptuar nga rritësit e kaprojve në shkretëtirën siberiane. Këta janë njerëz, të cilët kanë jetuar mes fushave të akullta me mijëra kaprojtë, për të cilët janë kujdesur. Ata e kanë adoptuar dhe vajzën e vogël, e cila po kështu është mësuar sesi të kujdeset për kaprojtë. Kjo është një histori shumë interesante, e treguar në libër dhe e vlefshmja është se e kemi dhe mbi fotografi. Historia për udhëtimin e Radiçkovit deri në Siberinë në fakt është shumë e zakonshme dhe tipike në stilin e tij.
Gjatë vitit të largët 1962-63 në Lidhjen e shkrimtarëve paraqitet një lajm, se ka nevojë që ndonjë shkrimtar të shkojë deri në Siberi, që të mund të shkruajë një artikull për jetën e vet aty. Kjo ka qenë një praktikë e shpeshtë, të dërgohen shkrimtarë në vende të tilla për qëllime krijuese, por shkrimtarët tanë nuk kanë dashur të nisen për ndonjë vend të tillë të largët dhe me shumë akull. Atëherë Jordan Radiçkovi i vetmi ka marrë përsipër të shkojë dhe të përshkruajë qëndrimin e vet në Siberi. Shkrimi i artikullit është kthyer në një udhëtim tremujor, i cili dredhon jo vetëm nëpër shtigjet e shkelura dhe vendet e organizuara zyrtare për vizitë, por çon bile deri në humbjen e Radiçkovit dhe të bashkudhëtarit të tij Gjeorgji Gaçev. Kështu është arritur deri në takime emocionuese me njerëzit më të zakonshëm nga Siberia. Prej tyre shkrimtari ruan përshtypje të shkëlqyera, arrin të futet dhe të përfshihet në shpirtrat e tyre përmes bisedave të thelluara njerëzore.”
Ekspozita “Oborret e pandriçuara” do të mbetet në qytetin Plovdiv deri në fund të muajit janar.
Përgatiti në shqip: Nataniela Vasileva
Foto: BGNES
Një histori si një film - ne shpesh themi me vete kur na tregohet një histori e jashtëzakonshme ose dëgjojmë një të tillë nga tavolina fqinje në një kafene. Por është pikërisht kinemaja ajo që duket se e ndihmon njeriun e sotëm të varur në mënyrë..
Çdo festë ka aromën, teshat dhe meloditë e saj. Kështu është edhe me Krishtlindjet. Dihet pak për këngët e Koledarëve (Grupet e djemve të Krishtlindjeve) dhe qëllimin e tyre, dhe flitet pak për to, madje në shumë raste ato që thuhen janë të gabuara. Por..
Si një galeri arti në mes të pyllit e përshkruajnë dëshmitarët shatërvanin me belvedere pranë fshatit Konçe, rajoni i qytetit Momçillgrad të Bullgarisë Jugore. Fillimi i ndërtimit u dha në vitin 1985 nga babai i Jusein Jusufit dhe një vit më vonë, kur..
Projekti i fundit i regjisorit Stefan Komandarev - "Universi Bllok" - është një nga 35 të përzgjedhurit në forumin më të rëndësishëm botëror për..
Filmi më i ri bullgar "Para se të harroj" mund të shihet që nga sot në kinema. Ai rikrijon realitetin e trishtuar të një prej sëmundjeve më të zakonshme..