Sallat e Muzeut Etnografik Regjional në Plovdiv u ndriçuan me ngjyrat tradicionale të qëndismave bullgare. Figurat gjeometrike, pak të çuditshme në shikim të parë, motivet florale dhe shtazore në fakt i janë nënshtruar një sistemi të rreptë dhe zbulojnë pasurinë dhe shumëllojshmërinë e madhe të qëndismave të përsosura, të krijuara nga duart e shkathëta të bullgares. Ekspozita “Do t’i njihni për nga qëndismat” tregon llojet e ndryshme të qëndismave bullgare dhe karakteristikat e tyre etnografike.
“Eksponatet janë si qëndisma të veçanta, ashtu dhe elemente të tërësishme të kostumit popullor bullgar – këmisha, përparëse, shami për kokën, të cilat kanë simbolet tradicionale të regjioneve bullgare – na shpjegon Vasill Apostollov nga Muzeu Etnografik Regjional në Plovdiv. – Ekspozita është realizuar sipas një projekti të Ministrisë së Kulturës. Në kuadrin e këtij projekti është edhe botimi i një katalogu me temë “Qëndisma”, i cili do të bëhet pasi përfundon ekspozita.”
Muzeu në Plovdiv tregon një pjesë prej koleksionit të 217 qëndismave, të cilat ishin dhuruar para disa vitesh nga Elena Todorova.
“Ajo është një prej krijuesve të një katalogu me qëndisma, i cili ka frymëzuar shumë njerëz, që merren me qëndisje. Koleksioni është punuar krejtësisht nga zonja Todorova. – na tregon Vasill Apostollov. – Janë grumbulluar motive karakteristike për të gjitha regjionet bullgare. Para disa vitesh ajo ka udhëtuar bashkë me të shoqin në tërë Bullgarinë, duke ia kushtuar një vit çdo një regjioni. Ajo është frymëzuar dhe ka grumbulluar informacion për punimin e qëndismave, për zgjedhjen e ngjyrave në regjionet e ndryshme dhe për vetë format e qëndismave.”
Fillimi i punës koleksionuese të Muzeut Historik Regjional në Shumen u vu që gjatë viteve 30 të shekullit XX. Disa prej eksponateve më interesante të fondit të tij, të cilat janë treguar në ekspozitën në Plovdiv, janë qëndismat e mësallave. Mësallat në Bullgari janë shami të ngushta, të cilat u vendosen grave të martuara gjatë një rituali të posaçëm, që zbatohet në disa prej fshatrave në këtë krahinë.
Në malin Rodope qëndismat janë një element i pazëvendësueshëm i stolisë së shamive të dasmës. Forma e tyre është katrore, ose drejtkëndëshe dhe me to mbulohen dhuratat që këmbehen mes të fejuarve, si dhe duart e nuses gjatë daljes së saj nga shtëpia atërore.
Ato janë pjesë e mostrave të ekspozuara në Muzeun Historik regjional në Smoljan. Janë interesante edhe shamitë e dasmës, me emrin “rëçenik”.
Muzeu Historik Regjional i Burgasit dërgoi posaçërisht për ekspozitën në fjalë motive të qëndisura, karakteristike për grupet etnografike të Regjionit të Stranxhës.
“Në ekspozitë mund të shihen sende, të cilat marrin pjesë në rituale të ndryshme dhe nuk janë vetëm elemente dekorative, por përdoren në praktikë – saktëson Vasill Apostollov. – Nuk janë harruar edhe vizituesit e vegjël. Kohët e fundit i kushtohet një vëmendje më të madhe këndit për fëmijë në sallën e ekspozitave. Fëmijët mund t’i ngjyrosin motivet e qëndismave sipas shembujve në vitrina, ose t’i pikturojnë vetë.”
Ekspozita “Do t’i njihni për nga qëndismat” në Muzeun Etnografik Regjional në Plovdiv do të vazhdojë deri në fund të vitit.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: ethnograph.info
Ekspozita "Lidhjet e mundshme: Pamje nga studioja e Nikollaj Shmirgella", e cila hapet sot në Galerinë e Arteve të Qytetit të Sofjes, paraqet kontaktet në kohë mes Shmirgellës dhe njerëzve që lënë gjurmë në atelienë e tij. Ekspozita përfaqëson një koleksion..
Për mrekullitë në jetë, për aftësinë tonë për të ndjekur rrugën dhe për të mos tradhtuar besimin tonë flet filmi i ri bullgar "Mos i mbyll sytë", i cili shfaqet në kinematë e vendit. E thënë shkurt, historia është si vijon: një prift - At Pavell -..
Filmi i ri bullgar "Terapia", premiera e të cilit është më 7 shkurt, është përzgjedhur për të marrë pjesë në disa festivale ndërkombëtare në SHBA dhe Evropë, transmeton BTA. Midis tyre janë edicioni i 78-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Salerno..