Kryeqyteti i Maqedonisë Shkup do të jetë mikpritës i Takimit botëror të mediave bullgare, i cili do të mbahet nga 24 deri më 28 tetor. Përfaqësuesit e afro 40 mediave bullgare nga 25 shtete do të shtrojnë për debate tema interesante si “Fytyrat e ndryshme të patriotizmit”, “Biznesi dhe borxhi kombëtar”, “Propaganda kundër gazetarisë”.
“Për mua si një njeri, i cili punon në media bullgare jashtë shtetit, ky forum është shumë i rëndësishëm, sepse më takon me kolegë, të cilët kanë veprimtari të ngjashme në shtete të tjera – është kategorik Ivan Kartchev, producent i një programi radio-televiziv bullgar në Vjenë dhe botues i “Vjena, qyteti ynë”. – Kjo është një mundësi e shkëlqyeshme të këmbejmë ide – jo vetëm sa i përket përmbajtjes, por edhe sa i përket mundësisë që informacioni, që po përhapim, të mund të arrijë te sa më shumë bullgarë përtej kufirit. Në këtë forum janë të pranishëm kolegë nga Anglia, Kanadaja, SHBA-ja, Izraeli, Spanja dhe shumë shtete të tjera dhe kjo na ndihmon shumë.”
Një prej qëllimeve kryesore të forumit është krijimi i një bashkësie të mediave bullgare në botë, e cila të ndihmojë për zgjidhjen e problemeve të ndryshme:
“Bullgaria nuk i përkrah në asnjë mënyrë mediat bullgare përtej kufirit, ndërsa një bashkësi më e vogël nuk mund t’i financojë vetë këto media – thotë Ivan Kartchev. – Do të jap si shembull përkrahjen financiare për shkollat bullgare, të cilat zhvillohen suksesshëm, ndërsa mediat bullgare, megjithëse luajnë një rol shumë të madh për përhapjen e kulturës bullgare, për ruajtjen e gjuhës bullgare ndër bashkësitë jashtë shtetit, nuk përkrahen. Deri tani kjo temë ishte shtruar shumë herë, por nuk ka rezultat konkret. Diskutojmë gjithashtu strukturën e mediave, cilat tema mund të jenë interesante për publikun. Mediat me më shumë përvojë i ndihmojnë mediat e porsakrijuara, duke e ndarë përvojën e vet dhe kështu kontribuojnë për zhvillimin e tyre. Janë të rëndësishme edhe takimet tona me gazetarë nga Bullgaria, sepse kjo ndihmon këmbimin e informacionit dhe të temave.”
Mediat bullgare përtej kufirit kanë një kontribut shumë të madh për ruajtjen e gjuhës bullgare, të kulturës dhe të identitetit bullgar jashtë, prandaj shteti duhet ta ndihmojë ekzistencën e tyre. “Megjithëse një masë e tillë ishte parashikuar, pas këmbënguljeve tona, në programin zyrtar katërvjeçar të qeverisë së tanishme, tani për tani ajo mbetet vetëm në letër” – thotë Petër Stamatov. Ai është në thelbin e sajtit bullgar www.EuroChicago.com, i cili ka një histori 15 vjeçare. Është ndër pjesëmarrësit aktivë në takimet e mediave bullgare. Sipas Stamatovit afërsia e kryeqytetit maqedonas me Bullgarinë supozon një prani më të madhe në forumin e sivjetshëm:
“Shpresojmë që të gjejmë akoma miq dhe të takohemi me bashkatdhetarët tanë nga Maqedonia, me të cilët që prej vitesh mirëmbajmë lidhje – me përfaqësuesit e organizatave bullgare atje, me kolegët tanë gazetarë – tha ai para Radio Bullgarisë. – Dihet se prania e mediave bullgare në Maqedoni është një problem, i cili ende nuk është i zgjidhur, megjithë Traktatin e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit mes dy vendeve tona dhe lidhjet midis mediave bullgare dhe atyre maqedonase dhe institucioneve të tjera. Tema për praninë e mediave bullgare në Maqedoni u shqyrtua para pak kohe edhe nga Komisioni i Politikave për Bullgarët Jashtë Shtetit pranë Kuvendit Popullor, ku u theksuan fakte shqetësuese dhe probleme të pazgjidhura. Është e natyrshme që kjo temë të diskutohet edhe në takimin e 14 të mediave në Shkup. Po jetojmë në një botë, në të cilën madje në kuadrin e një viti mund të ndodhin ndryshime të rëndësishme në mjedisin e mediave. Lidhur me këtë do të jetë interesante të vazhdojmë një debat të filluar në takimin e kaluar në Kishinau të Moldavisë – a i humbasin televizionet teleshikuesit e mençur për llogari të mediave në internet dhe të rrjeteve sociale. Një pikënisje e përshtatshme e një teme të tillë mund të jetë artikulli i kryesekretares së Agjencisë Telegrafike Bullgare /BTA/ Evelina Andreeva, ku bëhen parashikime interesante për të ardhmen e gazetarisë dhe për faktin se së shpejti 90 për qind e publikimeve do të mund të përgatiten nga intelekti artificial.”
Petër Stamatov shpalli edhe qëllimin për të kërkuar përkrahjen e mediave të tjera bullgare në botë, që të realizohet regjistrimi zyrtar i bullgarëve jashtë shtetit.
“Lidhur me regjistrimin zyrtar të shtetasve në Republikën e Bullgarisë gjatë vitit 2020, ne i dërguam një ofertë Institutit Kombëtar të Statistikave, që të regjistrohen edhe bullgarët jashtë. Na u përgjigjën se ideja është interesante dhe e rëndësishme, por për shkak të përdorimit të standardeve të përbashkëta për tërë Bashkimin Evropian nuk mund të zhvillohet edhe regjistrim i diasporës. Një numërim i tillë mund të zhvillohet suplementarisht, por ka nevojë për një buxhet të veçantë. Mendoj se në qoftë se kolegët e takimit e pranojnë këtë ide dhe e popullarizojnë, kjo mund të ndihmojë për realizimin e saj” – thotë Petër Stamatov.
Takimi botëror i mediave bullgare organizohet nga BTA-ja dhe nga Asociacioni i Mediave Bullgare në botë, sivjet në partneritet edhe me Agjencinë Informative të Maqedonisë /MIA/, me Dhomën Bullgaro-Maqedonase, fondin “1300 vjet Bullgaria” dhe me institucione të tjera.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Në edicionin e 14-të të Sistemit të Vlerësimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë në Bullgari për vitin 2024, Universiteti i Sofjes “Shën Klementi i Ohrit” është në vendin e parë në 22 fusha profesionale. Sistemi i vlerësimit krahason performancën e 51..
Sukseset e Bullgarisë në olimpiadat ndërkombëtare të shkencës për vitin 2024 u mblodhën në ekspozitën "Mendjet fantastike". E hapur me rastin e Ditës së Iluministëve të Popullit në “Urën e të Dashuruarve” pranë Pallatit Kombëtar të Kulturës, ekspozita..
Televizioni Kombëtar Bullgar (BNT) do të shënojë më 7 nëntor të këtij viti 65 vjetorin e themelimit të tij, njoftuan mediat publike. Këtë ditë, një nga drejtueset e njohura të lajmeve Radina Çervenova do të rikthehet në emisionin qendror “Nëpër botë dhe te..
Në BE ka reagime të ndryshme në lidhje me vendimin e presidentit amerikan Joe Biden për të lejuar Ukrainën të godasë thellë brenda territorit rus me armët e..
Iluminist - njeri që me veprimet, idetë ose krijimtarinë e tij zgjon shpirtin e popullit, ruan dhe përhap vetëdijen, kulturën dhe edukimin kombëtar. Në..