Projekti për ndërtimin e centralit të dytë atomik në Bullgari daton që nga koha e komunizmit. Mirëpo, ai ende nuk është i ndërtuar. Kryeministri Bojko Borisov e quajti ndërtimin “pellg”, i cili do të shndërrohet në vrimë të zezë financiare, ku u zhytën 2 mln euro deri tani pa efekt të dukshëm. Një pjesë e madhe e këtyre mjeteve u përdorën për ndërtimin e infrastrukturës për centralin e ardhshëm. Mbi 600 mln euro u paguan për dy reaktorët atomikë, të ndërtuar nga Rusia, megjithë pezullimin e projektit nga Kuvendi Popullor i Bullgarisë. Këto ditët e fundit mësuam se Gjykata e Arbitrazhit ka marrë vendim që Bullgaria t’i paguajë konsulentit të projektit WorleyParsons Nuclear Services akoma 32 mln euro, bashkë me interesat, për shkak të disa boshllëqeve në marrëveshjen mes dy partnerëve, domethënë për shkak të punës së kryer keq nga ana e ekspertëve juridikë bullgarë. Le të rikujtojmë se kësaj kompanie tashmë i janë paguar më se 265 mln euro.
Sipas parashikimeve projekti i shtrenjtë dhe i papërfunduar do të arrijë shumën prej rreth 10 mlrd eurosh dhe do të vazhdojë të shkaktojë konflikte në rrethet politike dhe në lëmin e energjetikës. Çështja është a ka nevoja Bullgaria për një central të dytë atomik dhe çfarë do të jetë dobia ekonomike për vendin tonë. Përkrahësit e projektit atomik mendojnë se pas 10-15 vitesh, domethënë sa do të vazhdojë ndërtimi në Belene, vendi do të ketë nevojë për më shumë energji elektrike, kryesisht për energji më të lirë, e cila mund të sigurohet vetëm nga një central i ri bërthamor. Kundërshtarët janë të mendimit se kapaciteti i ri atomik energjetik nuk do të bëhet rentabil kurrë në sfondin e çmimeve të ulëta të shitjes së rrymës elektrike në Bullgari, për shkak të varfërimit të popullsisë dhe të dobësisë së biznesit vendas. Ata shtojnë gjithashtu se konsumimi i energjisë elektrike në Bullgari gradualisht pakësohet dhe se termocentralet klasike, centrali i vjetër atomik në Kozlloduj dhe burimet ripërtëritëse energjetike do të mjaftojnë në plan afatmesëm. Ata nuk kanë frikë gjithashtu edhe nga masat e BE-së për kufizimin e prodhimit të energjisë elektrike nga termocentralet me qymyr për shkaqe ekologjike.
Është problematike edhe e ardhmja e centralit të dytë atomik në Bullgari edhe për shkak të kushteve për investitorët potencialë. Sipas Sofjes zyrtare centrali i ri duhet të jetë pothuajse krejtësisht private, kurse pjesëmarrja e shtetit bullgar të jetë minimale, të funksionojë pa ndihma shtetërore, subvencione dhe çmime të garantuara blerëse të rrymës elektrike. Ekspertët konstatojnë se asgjëkund në botë nuk është ndërtuar dhe nuk funksionon central elektrik atomik pa pjesëmarrjen e shtetit. Siç duket, duke parë se tani për tani interesi i investitorëve ndaj projektit është mjaftë i dobët, autoritetet bullgare provuan madje të shesin dy reaktorët atomikë rusë. Tani për tani edhe për ta nuk ka interes të shfaqur. Mendohet gjithashtu edhe mbi variantin që këta reaktorë të përdoren nga centrali i vjetër në Kozlloduj.
Kundërshtime, profesionalizëm i dobët, mungesë e një strategjie të qartë energjetike, masa ndëshkuese gjyqësore kundër vendit dhe shumë mjete të harxhuara kot – tani për tani kjo e karakterizon projektin imagjinar të centralit të dytë atomik “Belene” në Bullgari. Gjithsesi, duhet të ketë ndonjë zgjidhje dhe ajo nuk duhet të jetë në nivelin e ekspertëve, ku inxhinierët, projektuesit dhe konstruktorët janë të qartë për problemet dhe mund t’i zgjidhin. Bëhet fjalë para se gjithash për gjetjen e vendimit politik. Kjo është e nevojshme në sfondin e shpenzimeve të mëdha publike, të cilat tashmë janë investuar në ndërtim dhe të cilat tani për tani janë pa dobi për vendin. Duhet t’i vihet fund sa më shpejt harxhimit kot të mjeteve publike dhe të mbrohen interesat e shtetit dhe të qytetarëve të tij.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Ekonomia bullgare u rrit me 2,2% në tremujorin e tretë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, sipas vlerësimit ekspres të Institutit Kombëtar të Statistikave. Konsumi final shënoi rritje prej 4.6%, importet e mallrave dhe shërbimeve u..
Konfederata e Punës “PODKREPA” kritikoi ashpër projekt-amendamentet në Kodin e Punës të përgatitur nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, sipas të cilave rritja e pagës minimale lidhet vetëm me inflacionin. Në një deklaratë të përhapur, sindikata..
Prioritetet kryesore të biznesit – anëtarësimi në Eurozonë dhe Shengen me bazë tokësore, mbeten në plan të dytë. Ata janë motorët që mund t'i japin një shtysë ekonomisë dhe mungesa e një qeverie të rregullt i pengon ato të arrihen, tha për BNR..