Pjesa më perëndimore e Bullgarisë Perëndimore, atje ku shtrihen shumë male jo të larta – Zavallska, Ljubash, Ruj, Çerna Gora, Golo Bordoja, Konjavska etj., e cila dikur ishte një destinim pak i njohur turistik, gjatë afro dhjetë viteve të fundit u bë një hit i vërtetë turistik. Për popullarizimin e kësaj krahine të virgjër kontribuoi edhe ngjitja tradicionale ndërkombëtare në malin Ruj, në rrezet e të cilit gjarpëron lumi i bukur Erma. Ngjitja është deri në pikën më të lartë të malit – maja Ruj (1706 metra). Pikërisht atje kalon kufiri i Bullgarisë me fqinjin e saj perëndimor – Serbia.
“Sivjet është edicioni i 9 i ngjitjes tradicionale ndërkombëtare në majën Ruj. Bashkia e Trënit merr pjesë në përgatitjen e aktivitetit që nga viti 2014 pas nënshkrimit të një marrëveshjeje të përbashkët me bashkinë Babushnica në Republikën e Serbisë – na tregoi Evgenia Takova, shefja e drejtorisë “Struktura territoriale, pronësia bashkiake dhe politika e investimeve” në bashkinë Trën.
Ngjitja, e cila sivjet do të jetë më 26 qershor, do të mbahet edhe në të dyja anët e kufirit, që të takohen bullgarët dhe serbët në majë. Meqenëse rajoni është kufitar, pjesëmarrësit në ngjitje duhet t’u parashtrojnë autoriteteve kufitare të dhënat e tyre personale: emrin, emrin e babait dhe mbiemrin, numrin personal, ose të regjistrohen në listën e përgatitur nga bashkia e Trënit.
“Ideja është që ngjitja në Ruj të bëhet një prej ngjarjeve më të mëdha turistike ndërkombëtare në Ballkan – vuri në dukje Evgenia Takova. – Atje marrin pjesë tradicionalisht klube malore nga Bullgaria dhe Serbia. Përfshihen gjithashtu edhe pjesëmarrës nga Republika e Maqedonisë.”
Bashkia e Trënit e organizon ngjitjen bullgare nga fshati Zabel, duke siguruar transport autobusi që nga Trëni deri në fshat. Ka edhe dy alternativa për t’u arritur pika më e lartë në anën e Bullgarisë. Njëra mundësi është që nga fshati Llomnica, ku ngjitja organizohet nga Shoqata Turistike e Trënit, kurse tjetra – nga fshati Zelenigrad, ku sipas traditës ngjitja organizohet nga vendasit. Turistët duhet të mbajnë me vete veshje të përshtatshme për ngjitjet verore, ushqim dhe ujë.
Itinerari më i lehtë dhe me pamje më të bukura është nga fshati Zabel. Shtigjet nga fshati Llomnica janë më të pjerrëta, por kalojnë kryesisht përmes pyllit, afër lumit, ku ndihet freskia, gjë që nuk duhet nënvlerësuar në ditët e nxehta verore.
Në anën e Serbisë ngjitja e majës është shoqëruar me një festë të bukur në fshatin Rakita. Sipas Evgenia Takovës:
“Tradicionalisht në majën Ruj ngjiten jo më pak se 300 veta, kurse në qoftë se moti është i mirë në anën e Bullgarisë numri i tyre arrin 500 – 600 veta.”
Në rast se turistët janë me përvojë dhe janë më të shpejtë, ngjitja nga Zabeli bëhet në kuadrin dy orëve, kurse po të ecin më ngadalë – nga dy orë e gjysmë deri në tri orë. Nuk është detyrueshëm që pjesëmarrësit të kenë përgatitje të posaçme turistike, por është me rëndësi që të jenë të gatshëm për një ngjitje të gjatë, paralajmëroi Evgenia Takova. Në Ruj nuk ka aktivitete të organizuara.
“Zakonisht grupet që ngjiten dhe takohen në majë fotografohen njëri tjetrit dhe pas kësaj largohen. Zakonisht në majë grumbullohen jo më shumë se 200 veta.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: arkiv personalLumi Jantra buron në malin Stara Pllanina në një lartësi nga 1220 m mbi nivelin e detit dhe rrjedh në veri, duke gjarpëruar nëpër lugina dhe gryka piktoreske. Rrjedha e lumit kalon përmes qyteteve Gabrovo dhe Veliko Tërnovo. Pak para se të derdhet në..
Këtë vit, udhëtimi tradicional i Krishtlindjeve me trenin e Rodopeve me binarë të ngushtë do të zhvillohet më 22 dhjetor, tha për BNR-Bllagoevgrad, Kristijan Vaklinov , themelues dhe kryetar i shoqatës "Treni i Rodopeve me binarë të ngushtë". Gjatë..
Liderët e turizmit nga Bullgaria, Greqia, Kosova dhe Maqedonia e Veriut u nderuan nga edicioni i 10-të i forumit ndërkombëtar Balkan Awards of Tourism Industry 2024. Ceremonia u zhvillua në Sofje më 5 dhjetor. Kalaja Kaleto në komunën e Bellogradçikut..