Ambasada e Qipros në Sofje organizoi në ndërtesën e vet një ekspozitë interesante me fotopiktura. Fotografi Vencisllav Petrov dhe Ambasadori i Qipros Stavros Avgustidis – në rolin e piktorit, u takuan para 3 vjetësh. Që atëherë kërkojnë “fabula” interesante nëpër kryeqytetin bullgar dhe krijojnë tablo të përbashkëta, të cilat e pasqyrojnë qytetin kështu, siç njerëzit në rrugë rrallë e perceptojnë.
“Qëllimi ynë është të tregojmë aspekte të panjohura dhe interesante kulturore të kryeqytetit, tregoi Vencisllav Petrov. Kjo nuk është vetëm një ekspozitë. Po fillojmë një iniciativë, e cila do të zhvillohet në të ardhmen, shpresoj në përmasa të mëdha. Nisma “Sofja në fragmente” (Sofia in fragments) ka dy qëllime: në vend të parë është eksporti i kulturës nga Bullgaria – mund të shikoni sa ambasadorë ka këtu, dhe në vend të dytë është aspekti bamirës – dëshirojmë t’i ndihmojmë fëmijët në nevojë.”
Të ardhurat nga shitja e fotopikturave do të ndihmojnë veprimtarinë e fondacionit “Për fëmijët tanë” në përkrahje të fëmijëve me zhvillim të vonuar. Ideja për këtë nismë është e zotit Avgustidis dhe bashkëpunimi është i suksesshëm, sepse dy artistët kanë gjetur harmoni mes formës dhe ngjyrës. Fotografi Vencisllav Petrov i pëlqen ngjyrat, mirëpo në këtë rast përgjigjet vetëm për bazën e tablove – këto janë fotografitë bardhë e zi, mbi të cilat Avgustidis pikturon dhe kështu i kthen në vepra të vërteta të artit.
Ambasadori i Republikës së Qipros tek ne ka studiuar në universitet politologji dhe ekonomi, mirëpo gjithmonë e ka pëlqyer arkitekturën. Në fund të fundit e zgjedh jo diplomacinë kulturore, por diplomacinë për kulturë dhe bën shumë për popullarizimin e artit. Në Bullgari ai nuk ndihet si një i huaj, mirëpo fakti se nuk është njeri vendas, e ndihmon të vërejë gjëra, që vendasit nuk i shikojnë, sepse janë mësuar me to. Tregon se frymëzohet më shumë kur luan me fëmijët e tij. Nga ana e tij Vencisllav Petrov është një fëmijë i rritur dhe i pëlqen avionët.
Pasi e kanë shikuar dokumentarin për Maria Zëbovën, e njohur si “Maria e kambanave”, fotografi dhe piktori shumë herë i ngjitën 220 shkallët deri në çatinë e kishës më të madhe në Sofje “Shën Aleksandër Nevski”. Atje ata bëhen dëshmitarë të dashurisë dhe pasionit, me të cilat gruaja 89-vjeçare i rreh kambanat në mëngjes dhe në mbrëmje.
“Para pak kohe vizitova kishën “Shën Aleksandër Nevski” me disa kolegë ambasadorë. Aje ata u takuan me Marien dhe atyre menjëherë u bëri përshtypje fortësia e shpirtit, besimi dhe durimi i saj. Mendoj se këto tipare janë karakteristike për bullgarët në përgjithësi – tha ambasadori i Qipros. Ajo i rreh kambanat pavarësisht nga moti – në ditë me diell, me shi, me borë, apo me stuhi. Atëherë më erdhi në mend të organizojmë një fushatë për restaurimin e pikturave murale të kishës.”
A njihen mjaft mirë me njëri-tjetrin bullgarët dhe qipriotët? Zoti Avgustidis thotë se e ndien dashurinë tonë:
“Në Qipro jetojnë 40 mijë bullgarë, të cilët kanë shkolla të veta dhe jeta e tyre është organizuar mirë – tregon ai. Isha bashkë me Presidentin Rumen Radev në Qipro gjatë vizitës së tij atje në nëntorin e vitit 2017. Atëherë inauguruam një rrugë me emrin e heroit bullgar Vasill Levski. Atje e ndjeva mirë lidhjen mes dy popujve. Bullgarët dhe qipriotët na pritën të veshur në kostume popullore, vallëzuan së bashku. Ishte një moment shumë emocionues! Ne i kemi të njëjtat vlera, e ndiejmë botën në mënyrë të ngjashme.”
Përgatiti në shqip: Jordanka Ivanova
Fotografitë u siguruan nga Ambasada e Republikës së Qipros në Bullgari
Edicioni i 20-të i Festivalit Botëror të Filmit të Animuar mbahet nga 11 deri më 15 shtator në Qendrën e Kongreseve në qytetin bregdetar bullgar Varna. Janë të përzgjedhur mbi 70 tituj në 7 kategori, ndër të cilët më të priturit, sipas ekipit, janë..
Janë 4 shfaqje emocionuese të kinemasë bullgare në Paris. Nga data 10 deri më 13 shtator në kryeqytetin francez do të mbahet Festivali i Kinemasë Bullgare, ndërsa edicioni i gjashtë i tij është nën moton "Së bashku më të fortë". "Këtë vit duam..
Deri më 15 shtator, Bulevardi “Vitosha” i kryeqytetit dhe parku përballë Pallatit Kombëtar të Kulturës janë shndërruar në një librari të madhe në ambient të hapur. Edicioni i radhës i "Rrugicës së Librit", organizuar nga Shoqata "Libri..