Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ura të reja midis Bullgarisë dhe Brazilit

Nara Vaskonselos dhe prof. Borisllava Taneva për Panoramën e Kulturës Bullgare në Brazil

БНР Новини
Foto: arkiv personal

Panorama e parë e Kulturës Bullgare në qytetin brazilian Fortaleza mbaroi në fund të shkurtit. Në Centro Dragão do Mar de Arte e Cultura, në kuadrin e 17 ditëve u paraqit art figurativ, muzikë, kinema, letërsi. Organizatori kryesor është Instituti Kulturor Brazilian “Zenon Barreto”, kurse motori i vërtetë i ngjarjes është zonja Nara Vaskonselos, drejtoreshë ekzekutive e institutit (Zenon Barreto Cultural Institute). Para disa vitesh ajo ka qenë drejtoreshë e teatrit në Fortaleza – qyteti i saj i lindjes. Nara është pianiste, kurse familja e saj ka vendosur të banojë në Bullgari gjatë disa viteve të fundit. Dy djemtë e saj Davi dhe Pedro mbaruan arsimin e tyre muzikor në Bullgari. I shoqi Frederiko Barreto gjithashtu është muzikant, është bir i Zenon Barretos – piktor i njohur brazilian, skulptor dhe skenograf.

Po banoj në Sofje tashmë 10 vjet dhe e dua shumë Bullgarinë – tregon Nara. – I dua shumë njerëzit, natyrën, kulturën e vendit tuaj. Ideja për ta organizuar Panoramën e Kulturës Bullgare lindi pas një bisede me pianisten prof. Borisllava Taneva, e cila më tha se ka një dëshirë të madhe për të interpretuar muzikë në Brazil. Vendosa se kjo është një ide e mrekullueshme dhe menjëherë fillova t’i planifikoja ngjarjet. Shumë artistë u përfshinë, dhjetëra institucione na përkrahën. Përveç muzikës klasike të interpretuar nga Borisllava Taneva, ne organizuam një panoramë kinematografike, në afishen e së cilës u përfshinë 17 filma. Hapja zyrtare e aktivitetit ishte me filmin “Gjykata” me regji të Stefan Komandarevit. Filmi u pranua shumë mirë. Ky film i bukur i tronditi të gjithë. Paraqitëm gjithashtu filmin “Zhytja e Sozopolit” të Kostadin Bonevit, “Prokurori, mbrojtësi, babai dhe biri i tij” të Iglika Trifonovës etj. Duhet të them se për herë të parë paraqiten filma bullgarë në Fortaleza, kurse interesi në rrethet kulturore atje ishte shumë i madh. Letërsia bullgare gjithashtu e tërhoqi vëmendjen e publikut. Paraqitëm “Cikli Brazilian” – poezi e Elisaveta Bagrjanës, e përkthyer nga Maria da Gia Silva Lita, një braziliane e martuar me një bullgar, që banon në Fortaleza. Duhet të shënojmë edhe pjesëmarrjen speciale të Illko Minevit – një bullgar, i cili banon në Manaos tashmë 40 vjet. Në panoramë u paraqitën dy libra të tij. Një sukses të madh korri ekspozita prej fotografish – “Shikimi drejt Bullgarisë” – fotografitë janë bërë nga disa brazilianë dhe një francez, të cilët banojnë në Bullgari, ose kanë qenë në vend. Shumë interesante për publikun ishte ekspozita “Në kafene”, me kolazhe të shkëlqyeshme të Orlin Atanasovit. Galeria Figurative e Qytetit në Varna dhuroi koleksionin “Grafika bullgare”. Ajo do të paraqitet më vonë në qytetin Brazilia, në San Paolo, në Londrinë dhe në qytete të tjera ku ka bullgarë. Publiku atje do të shohë edhe koleksionin e vogël prej simbolesh bullgare, të cilët janë të pranishme në qilimat tradicionalë bullgarë. Kjo më kushtoi shumë punë, por më solli një kënaqësi të madhe. Shpresoj se do të vazhdojmë me paraqitjen e kulturës bullgare në atdheun tim.

Teatri në Fortaleza
Pianistja prof. Borisllava Taneva, zëvendës rektore e Akademisë Muzikore Kombëtare “Panço Vlladigerov”, një pedagoge dhe kompozitore e njohur, dha në Brazil disa koncerte. Në teatrin “José de Alencar” ajo paraqiti një program, të krijuar krejtësisht prej veprash bullgare.

Udhëtimi deri në Fortaleza më dha mundësi për të bërë shumë gjëra të dobishme. Me bashkëpunimin e Ministrisë së Kulturës dhe Akademisë Muzikore Kombëtare, arrita të shëtis në këtë realitet të ndryshëm. Koncerti i parë dhe paraqitja e parë e muzikës bullgare për piano ishte në Fortaleza, kurse Brazili është vendi i 15-të, në të cilin e paraqes këtë program. Veprat, që kam zgjedhur, janë të ndryshme dhe përfshijnë të gjitha brezat e krijuesve bullgarë. Në saje të ambasadorit tonë në Brazil pata një koncert edhe në qytetin Brazilia, si dhe disa takime në universitetet dhe në shkollën muzikore të qytetit. Në saje të kësaj Akademia Muzikore Kombëtare lidhi kontrata për bashkëpunim në fushën e arsimit muzikor. Udhëtimi im mbaroi në Rio de Zhanejro. Përsëri nëpërmjet zonjës Vaskonselos mora ftesë nga një kompozitor brazilian – zoti Liduino Pitombeira. Në kuadrin e dy orëve kisha mundësi të ekzekutoja muzikë bullgare dhe të paraqisja mundësitë për arsim në akademinë tonë. Arti është një gjuhë tjetër, një nivel tjetër i kontaktit, i këmbimit të energjisë, ai nuk ka kufi. Paraqitja e muzikës së filmave dhe ekspozitave bullgare, e gjithë kjo u pranua shumë mirë. Pata disa klasa mjeshtri. Kështu qe ne i vumë themelet jo vetëm të urës kulturore, por edhe të asaj arsimore. Kjo nuk është prova e parë në këtë drejtim, por gjatë disa viteve të fundit këto prova u ndërprenë. Për mendimin tim ne vumë fillimin e një komunikimi shumë të mirë në fushën e kulturës dhe të arsimit mes dy vendeve.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Vizatimet e fëmijëve të frymëzuara nga natyra dhe "Pema e dëshirave" do të befasojnë banorët e Plovdivit në ditët në vijim

Pas suksesit të festivalit "Ne jemi fëmijët e lumit" në shtator, një fondacion qytetarësh përsëri bëhet partner me rajonin e Plovdivit "Centralen". Këtë herë rasti është një ekspozitë e veçantë që shfaq vizatime të fëmijëve të frymëzuar nga natyra...

botuar më 24-11-24 9.00.PD

Milena Selimi fitoi çmimin për përkthimin më të mirë në Panairin e 27-të të Librit në Tiranë për romanin bullgar "Kohëstrehim"

Milena Selimi, përkthyesja e romanit “Kohëstrehim” të autorit bullgar Georgi Gospodinov, e cila është edhe përfaqësuese e bullgarëve në Komitetin për Pakicat Kombëtare në Shqipëri, mori çmimin për përkthimin më të mirë për vitin 2024 në Panairin e 27-të..

botuar më 24-11-19 8.30.MD

Lilija Zaharinova tregon histori përrallore në mjedisin urban

Kur një person ecën nëpër Montana dhe Bellogradçik, herët a vonë ai do të ndeshet me kabinat elektrike të lyera me ndjenjën e gëzimit dhe pastërtisë, që duket sikur burojnë nga fëmijëria. Dhe për një çast të vetëm ai do ta gjejë veten në një oaz të..

botuar më 24-11-18 7.35.PD