Sivjet profesori Stefan Çapkënov kremton 55 vjet nga fillimi i veprimtarisë së tij artistike. Bilanci është mbresëlënës – 43 vjet si drejtor i ansamblit “Stranxha” të qytetit Burgas, për repertorin e të cilit ai krijon shumë këngë korale dhe solo, shumë suite dhe shfaqje skenike muzikore. Duke llogaritur edhe veprat e krijuara për formacione të tjera numri i përbashkët i kompozimeve arrin 800. Shumë prej tyre janë botuar në përmbledhje këngësh me nota. I lindur në qytetin detar Burgas, pas mbarimit të arsimit të lartë në fushën e muzikës, ai ia kushton talentin e vet artit skenik. Është mbajtës i çmimit “Nestinarka” për vitin 2013 – një çmim për kontribut të jashtëzakonshëm për mbrojtjen, zhvillimin dhe përhapjen e folklorit bullgar. Për arritjet e tij artistike ai mori dekoratat “Lira e artë” dhe “Lira e Kristaltë” të Bashkimit të Arteve të Muzikës dhe të Kërcimit. Shumë janë çmimet nga pjesëmarrjet e tij në konkurse ndërkombëtare dhe në festivale jashtë Bullgarisë.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur. Pata mundësinë ta popullarizoja artin në tri kontinente – në Evropë, Azi dhe Amerikë. Muzika popullore është shtylla energjetike e Bullgarisë, e cila na lidh me gjithësinë, kurse traditat tona janë imazhi i pasqyruar i historisë. Prej kohësh i jam përkushtuar ruajtjes së traditave tona.”
Folkloristi themeloi ansamblin “Stranxha” në vitin 1965 dhe dhjetëra vite me radhë është udhëheqës i tij artistik dhe kompozitor. E pasur dhe me shumë shtresa është kultura në malin Stranxha dhe kjo provokon interesin shkencor të profesorit Stefan Çapkënov.
“Gjithmonë përpiqem që çdo gjë, të cilën e kam krijuar të ketë edhe aplikim praktik, edhe dimension teorik. “Fenomeni i këndimit popullor bullgar. Problemet e nxjerrjes së tingujve” është vepra e parë shkencore për këndimin popullor. Shpesh pedagogët përdorin metodën e imitimit të tingujve, e cila është mohuar prej shumë kohësh. Kështu në qoftë se pedagogu ka ndonjë të metë, nxënësi automatikisht do ta përvetësojë atë. Në librin tim u jap këshilla praktike pedagogëve për punën e tyre të suksesshme me këngëtarët e rinj.”
Profesori Çapkënov na tregoi dhe për motivet e tij për krijimin e doracakut për studentë, mësues dhe specialistë “Folklori muzikor i malit Stranxha. Veçoritë metroritmike, strukturore dhe të tonalitetit”:
“Të gjithët dimë se muzika është një element i zhvillimit intelektual dhe shpirtëror të njeriut që nga epokat parahistorike. Ajo është shoqëruese e tij e përhershme – duke filluar nga ritmi, kërcim, tingujt e parë në jetën e njeriut primitiv. Muzika ilustron procesin e punës, rritet, kalon përmes sintezës së vallëzimit dhe më në fund dallohet si një art të veçantë. Që në Lashtësi ajo ka tërhequr vëmendjen e mendimtarëve të shquar nga shkolla e Pitagorit.”
Sot profesori Stefan Çapkënov vazhdon të kompozojë. Përveç kësaj punon mbi një libër shkencor, i cili së shpejti do të shfaqet në treg.
“Folklori bullgar është fenomenal. Për shembull – hapat e valleve janë shenja kodi. Nëpërmjet tyre ne perceptojmë vibracionet pozitive të gjithësisë, me ta ngarkohemi me energji pozitive. Muzika popullore, traditat dhe shkrimi janë fondamentet tona. Kënga popullore jo vetëm kuron me vibracionet e veta, por pastron shpirtërisht dhe fizikisht njeriun. E gjithë kjo është arsyeja për të cilën e shkruaj veprën time të fundit “Jetëgjatësia dhe folklori bullgar”.
Përgatiti në shqip: Jordanka Ivanova
Anabell Casaboff është një nga mijëra pasardhësit e bullgarëve në Argjentinë që nuk flasin gjuhën e gjyshërve të tyre, por Bullgaria është çdo ditë e pranishme në jetën e tyre. Ajo është një balerinë e mrekullueshme, kërcen dhe jep mësim baletin klasik, por..
Thonë se për të njohur një vend duhet jo vetëm ta shohësh me sy, por edhe ta shijosh. Çdo fshat bullgar, çdo qytet apo rajon ka frymën dhe aromën e vet specifike. Një nga mënyrat për t'i njohur janë rrugët gastronomike, të cilat po fitojnë popullaritet të..
Në shtator të vitit të kaluar, në korin e grave të ansamblit folklorik bullgar "Shevica" në Sofje u përfshi një djalë i ri, me tatuazhe dhe të gjitha karakteristikat e një vokalisti të një grupi kanadez heavy metal – ai hyri dhe u ul me..