Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Vitosha e bukur e Alekos – molla e sherrit midis investitorëve dhe ekologëve

БНР Новини
Foto: Bulfoto

“Shikoje, o Najço, këtë Vitoshë të hijshme, a ka diçka më të bukur nga ajo në botë!” – thotë Aleko Konstantinov në fillim të shekullit të XX-të. Ka pak të ngjarë që shkrimtari i njohur bullgar të ketë menduar se një shekull më vonë Vitosha e tij e hijshme do të bëhej molla e sherrit midis investitorëve dhe ekologëve. Parku më i vjetër natyror në Bullgari dhe në tërë Gadishullin Ballkanik, Vitosha, mund të lavdërohet me një histori më shumë se 80 dekada. Mirëpo, gjatë të gjitha këtyre viteve ai nuk u zhvillua shumë, kurse një pjesë e bazës turistike është pothuaj e shkatërruar. Një prej shkaqeve për këtë është mungesa e vizionit afatgjatë për zhvillimin e malit. Mendimet janë më të ndryshme. Nga “nuk duhet ndryshuar” deri tek “një vendpushim modern i skive”.

Nga qendra e Sofjes deri në pistat, që mbajnë emrin e Alekos, 2000 metra mbi nivelin e detit, mund të arrihet me veturë në kuadrin e një ore – çdo një kryeqytet evropian do të krenohej për këtë fakt, por jo edhe kur teleferiku më i ri është i moshës 30 vjeç dhe është i vetmi teleferik që funksionon. Kjo duhet ndryshuar, është i mendimit koncesioneri i zonës së skive “Vitosha ski”, sepse sipas të dhënave të Federatës Bullgare të Skive nga 70 mijë deri më 100 mijë sofjanas praktikojnë sporte dimërore. “Rreth 1.5 – 2 mln veta janë interesuar drejtpërsëdrejti që mali të shfrytëzohet në mënyrën më të mirë. Vetëm për shkollat e skive të Vitoshës, çdo ditë gjatë stinës dimërore në mal ka nga 1000 deri më 1500 fëmijë” – thotë zëvendëspresidenti i federatës së skive Georgi Bobev, i cili është në Këshillin Drejtues të “Vitosha ski”. Sipas fjalëve të tij, aktualisht teleferikët dhe pistat në mal janë të pamjaftueshme dhe gjendja e tyre është shumë e keqe.

“Për fat të keq për shkak të infrastrukturës së keqe Vitosha nuk është atraktive për skiatorët e mirë. Është me rëndësi që të gjithë ne të kuptojmë se Vitosha mund të ofrojë kushte moderne për ushtrimin e sporteve dimërore dhe verore dhe për zhvillimin e turizmit malor vetëm po të rinovohet baza e tanishme.”

Plani i vjetër i administrimit të parkut Vitosha, i cili rregullon veprimtaritë e territorit të tij, skadoi vitin e kaluar. Aktualisht ka diskutime publike të planit të ri, i cili është më liberal dhe ndoshta do të lejojë zëvendësimin e pajisjeve të tanishme me teleferikë modernë. Ekspertët janë unanimë: Teleferikët janë të më shumë se gjysmë shekulli dhe meremetimi i tyre është praktikisht i pamundshëm. Përveç kësaj plani i ri nuk do ta lejojë zgjerimin e zonës së skive. Megjithë prapambetjen e Vitosës dhe teleferikun e vjetër të pistës “Vitoshko Llale” (“Tulipani i Vitoshës”), mali ka shumë adhurues ndër skiatorët e Sofjes. Ndër ta është edhe kolegu-gazetar Ljubomir Bojaxhiev.

“Vitosha nuk është thjeshtë park, pavarësisht nëse është i mbrojtur, popullor, apo kombëtar. Ajo është diçka më shumë se mushkëria e një qyteti kaq të madh siç është Sofja. Prandaj duhet të bëjmë çmos që ta ruajmë këtë pasuri të madhe. Nuk e di nëse njerëzit janë të qartë se çfarë pasuri kemi. Sigurisht që duhet të mirëmbahen pajisjet e skive dhe çështja është se si të ndodhë kjo. Mendoj se njerëzit e zakonshëm duhet të deklarojnë mendimin e tyre. Në fakt variantet janë dy dhe duhet të zgjidhet një prej tyre – të ndërtohen pajisje të reja apo jo. Si skiator – amator dhe banor i Sofjes nuk mund të kuptoj se pse gjatë të gjitha këtyre viteve nuk u bë asgjë për mirëmbajtjen e bazës që ekziston.”

Përgjigje të kësaj pyetjeje kërkojnë që prej vitesh si adhuruesit e sportit të bardhë, ashtu edhe ekologët. Sipas tyre, që nga koha e Alekos e gjer te sot e kësaj dite mali është i përshtatshëm për turizëm malor, kurse afërsia e tij me kryeqytetin e bën atraktiv për sportin e skive. Anketat e ndryshme tregojnë se afro 80 për qind e sofjanasve janë për modernizimin e zonës së skive, por në rast se ruhet natyra. Mirëpo, sipas ekologëve, Vitosha me siguri nuk duhet përdorur për sport aktiv.

Në planin e ri për administrimin e parkut Vitosha, i cili është duke u përgatitur, është shkruar shprehimisht se anulohen kategorikisht ndalimet për ndërtimin e ri. Do të saktësohen vendet e veçanta, ku do të zhvillohet sporti dhe turizmi, në përputhje me faktin se parku është pjesë e programit “Sofja – kryeqyteti sportiv i Evropës gjatë vitit 2018”. Kjo me siguri do të inkurajojë investitorin “Vitosha ski”. Ja se çfarë tha para mikrofonit të Radio Bullgarisë Georgi Bobev:

“Nuk mund të ndryshohen pajisjet, kur të ketë ndalim të plotë të ndërtimit. Ndryshimi i teleferikëve të skive sipas ligjit trajtohet si ndërtim i ri. Njerëzit mund të mësohen ta ruajnë natyrën, vetëm në qoftë se lejohet prania e tyre atje.”

Dhe meqenëse plani i ri për administrimin e parkut Vitosha ende nuk është miratuar, siç duket skiatorët e Sofjes edhe këtë dimër do të mund të praktikojnë sportin e tyre të dashur kudo tjetër, por jo edhe në malin që është më afër kryeqytetit.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Gjysma e diabetikëve në Bullgari nuk janë diagnostikuar dhe konsiderohen të shëndetshëm

Me rastin e Ditës Botërore të Diabetit, objektet mjekësore në qytete të ndryshme të Bullgarisë organizojnë konsultime falas për personat me diabet dhe në rrezik të sëmundjes. Sipas të dhënave të Shoqatës Bullgare të Endokrinologjisë, çdo i treti bullgar në..

botuar më 24-11-14 2.34.MD
Ivajllo Ivanov

Si do të ndikojë zgjedhja e Donald Trump në Evropë dhe në siguri, në mbrojtje dhe ekonomi?

“Zgjedhja e Donald Trump si president i Shteteve të Bashkuara do të ketë një ndikim negativ në politikën evropiane në tre dimensionet kryesore, përkatësisht mbrojtjen dhe sigurinë, ekonominë dhe politikën – të paktën nga ajo që kemi si deklarata dhe nga..

botuar më 24-11-13 6.43.MD

Programi arsimor "Tregimet e pathëna të bullgarëve" me mbështetje të madhe brenda dhe jashtë vendit

Bullgarë nga 18 vende, 34 shkolla jashtë dhe 8 pedagogë bullgarë nga universitetet jashtë vendit janë pjesëmarrës në vitin e parë të Programit Kombëtar "Tregimet e pathëna të bullgarëve", i cili kërkon fakte pak të njohura për bullgarët e denjë apo ngjarje..

botuar më 24-11-12 5.26.MD