Në shumë mitologji të lashta peshku është simbol i natyrës femërore. Ai do të thotë pjellori dhe krijim të pasardhësve, mishëron forcën e ujërave dhe aftësitë e tyre të ngjallin dhe të ruajnë jetën. Peshku lidhet me Perëndeshën-nënë. Jo rastësisht në traditën e lashtë greke ai është atribut i Perëndeshës së dashurisë Afërdita. Më vonë krishterimi afirmon peshkun si simbol i Krishtit dhe i të krishterëve të parë, që quheshin në mënyrë alegorike gjahtarë të shpirtrave. Në përfytyrimet tradicionale dhe në folklorin e bullgarëve peshku gjithashtu ka vendin e vet – si lloj kafshe, ushqim specifik, si objekt i sigurimit të bukës së gojës, por edhe si një figurë simbolike që ka ruajtur kuptimet e lashta mitologjike.
Me peshkimin është lidhur proverbi, se duart e lagura hanë peshk, ndërsa ato të thata piperka – d.m.th. se njeriu nuk do të arrijë atë që dëshiron deri sa nuk bën mundime. Ndërsa për njeriun e nxituar thuhet, se peshku në det, ndërsa tigani në zjarr. Është shumë i përhapur edhe krahasimi hesht si peshk, ndërsa për njerëzit naiv dhe pak budalla përdoret epiteti ballëk (nga fjala turke për peshkun).
Në plan simbolik peshku lidhet me ujin, me thellësitë dhe botën e nëndheshme. Sipas përfytyrimeve arkaike bota mbështetet mbi dy ose tre peshq, mbi balena ose mbi brirët e kaut i cili është hipur mbi peshk. Lidhja me botën e nëndheshme do të thotë dhe lidhje me pjellorinë. Besohet, se gëlltitja e peshkut ose pjesë prej tij ndihmon në rast steriliteti, gjithashtu se fëmijët e lindur me ndihën e mrekullisë posedojnë tipare të pazakonshme.
Figura e peshkut lidhet me motivin e shterpësisë edhe në mënyre tjetër. Në subjektet e këngëve rrëfehet për nusen e mallkuar nga e ëma – të mbetet shtatzëne kur do të dëgjojë peshkun të këndojë nga Deti i Zi dhe gurin të fishkëllejë nga malet me vishnje. Kur ka mësuar për këtë, burri i saj i ka porositur të vëllait ta çojë nusen shterpë në bregun e detit dhe ta fundosë. Por në këtë çast Zoti i prekur nga lotët e gruas së re bën një mrekulli – peshku në të vërtetë filloi të këndojë, ndërsa guri të fishkëllejë. Nusja kthehet tek bashkëshorti dhe pas pak kohe lindi një djalë të pazakonshëm me hënë në gjoks dhe me diell të kthjellët në ballë.
Si simbol i begatisë dhe lumturisë peshku ka vend edhe në urimet e kolendarëve. Urime i drejtohen vajzës në shtëpi, e cila krahasohet me peshkun e bukur me luspë të argjendta nga thellësirat, me thëllëzën nga bari i lartë dhe me palluan nga kopshti e bejlerëve. Në këngën e kolendarëve këndohet për peshkun e bukur me krahë të arta, i cili jeton në Detin e Zi, me kërkesë të vajzës së re mblidhen peshkatarë – të gjithë me rrjeta, të cilat i hedhin në Detin e Zi dhe kapin peshkun magjik. Kjo këngë i këndohet vajzës që është gati të martohet dhe në praktikë është një urim për martesë së shpejtë.
Pa dyshim ndër peshqit në folklorin bullgar më i njohur është krapi, i respektuar që nga sllavët e lashtë. Sipas besimeve popullore krapi, që nuk është parë nga syri i njeriut në vazhdim të 40 vjetësh, shndërrohet në dragua – prandaj në disa ikonostase në rrëzat e Kryqit janë pikturuar peshq në vend të dragonjve.
Sipas përfytyrimeve popullore krapi është shërbëtori i Shën Nikollës, prandaj me të bëhet kurban për nder të shenjtorit për tryezën festive në Ditën e Shën Nikollës më 6 dhjetor. Mendohet, se ky peshk është i shenjtë, sepse ka mbi kokë një kockë në formën e kryqit. Kjo kockë ruhet dhe i qepet kapelës së porsalindurve si hajmali. Njerëzit besojnë gjithashtu, se luspat e krapit kanë veti magjike – ato janë të shenjtëruar dhe për këtë arsye nuk duhet të hidhen, por duhet të mbahen në portofol sepse i sjellin pasuri mbajtësit të tij.
Përgatiti në shqip: Sofia Popova
Thonë se për të njohur një vend duhet jo vetëm ta shohësh me sy, por edhe ta shijosh. Çdo fshat bullgar, çdo qytet apo rajon ka frymën dhe aromën e vet specifike. Një nga mënyrat për t'i njohur janë rrugët gastronomike, të cilat po fitojnë popullaritet të..
Në shtator të vitit të kaluar, në korin e grave të ansamblit folklorik bullgar "Shevica" në Sofje u përfshi një djalë i ri, me tatuazhe dhe të gjitha karakteristikat e një vokalisti të një grupi kanadez heavy metal – ai hyri dhe u ul me..
Sipas dokumenteve osmane, afër fshatit të sotëm Bivoljane në komunën e Momçillgradit (Bullgaria Jugore) jetonin më shumë se 500 dervishë , të cilët u trajnuan në teqen Elmala Baba. Qendra fetare dikur ishte e njohur si qendra më e madhe e..