Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Kau, lopa, demi – pamje dhe tregime folklorike

БНР Новини
Foto: BGNES

Në mitet e popujve të lashtë lopa, demi dhe kau janë kafshë të shenjtë, që lidhen me hapësirën qiellore dhe me hyjnitë. Egjiptianët e lashtë e përfytyruan qiellin si një lopë e madhe, e cila pjell diellin në formën e një viçi. Pamja e lopës qiellore haset edhe në tregimet e skandinavëve dhe në mitet e blegtorëve afrikanë. Një sërë hyjnish shfaqen me pamjen e demit ose demi është ndonjë prej atributeve të tyre dhe kafshë flijimi. Ndër më të njohurit mund të përmendim hyjninë indiane Indra, hyjninë egjiptiane Apis, hyjnitë greke Zeus dhe Dionis. Duke pranuar pamjen e një demi të bardhë, Zeusi rrëmben Evropën e bukur, ndërsa bashkëshortja e tij Hera mban epitetin “symadh si kau” ndërsa ngandonjëherë ajo rikrijohet me kokën e lopës. Shenje nga kulti ndaj demit zbulohen edhe në Dhiatën e Vjetër, ku tregohet për statujën e Demit të Artë, e cila u damkos dhe u shkatërrua nga Mojsiu në Shkretëtirën e Sinajit. Për një respekt të ngjashëm kujton edh Yjësia e Demit, ndërsa njeri prej katër evangjelistëve, apostullit Lluka, paraqitet si një dem.

Në folklorin bullgar gjithashtu ka gjurma të simbolikës diellore të demit. Sipas disa legjendave toka mbështetet mbi brinjët e një kau, i cili qëndron mbi një breshkë ose mbi një peshk. Kur e lëviz kokën bien tërmetet. Ekzistojnë përfytyrime për diellin në pamjen e një kau, viçi ose bualli. Nga ana tjetër hëna përshkruhet si një lopë – për simbolikën e vet prej femre dhe për drapin e saj. Tregohet se një herë për vit, muajin mars, hëna zbres në tokë dhe kur përpiqet të kthehet prapë në qiell, buluron si lopë. Hëna pëllet edhe kur i vjen keq nga vetmia. Sipas besimeve popullore disa magjistrice posedojnë aftësi të rrëzojnë hënën për dhe në formën e një lope. Kjo që ta mjelin qumështin e saj çudibërës, i cili mjekon të gjitha sëmundjet.

Në përditshmen e bullgarit kau, lopa dhe demi gjithashtu janë kafshë të respektuara. Për shëndetin e tyre kremtohen festat e Shën Silvestrit, Shën Vlasit dhe Shën Modestit. Për trapezën e Natzës së Buzmit brumoset një bukë speciale të ritit, e zbukuruar me ojna, që rikrijojnë një bujk që lëron tokën me qe.

Në kulturën tradicionale kau është tepër i respektuar – si për temperamentin e butë dhe të qetë, ashtu edhe për punën, që bënë: lëron tokën, tërheq qerren. Që nga koha më e lashtë edhe më sot shfrytëzohet shprehja “Punon si ka”. Sipas një proverbi “Njeriu pa tokë është gjysmë i varfër, ndërsa pa qe – i mjerë.” Bujku e quan qetë “engjëj” dhe iu drejtohet atyre me emra farefisnore si “at”, “babi”, “vëllezër”. Gjynah i madh konsiderohet të rrihen ose të  ofendohen qetë. Për një njeri të tillë thuhet se “i rrah engjëjt”. Besohet se një njeri i tillë në kohë të afërt do të mbetet pa qe dhe do të rrojë në mjerim dhe varfëri. Vajzat dhe nuset nuk duhet të kalojnë rrugën e qeve, ashtu edhe të burrave – kjo në shenje të respektit dhe të nderimit. Konsiderohet, se edhe ujku, i cili sulmon të gjitha kafshët shtëpiake, nuk prek kaun. Ai edhe eviton takimet me të. Besohet, se brirët dhe kafka e gjedhit mbrojnë nga forcat e këqija dhe prandaj ato vihen mbi portet e shtëpisë ose në gardhet e oborreve dhe pranë vathave. Qetë plakë nuk theren, ata lihen të vdesin dhe varrosen me respekt.

Sipas përfytyrimeve tradicionale lopës gjithashtu i jepet rrugë, sidomos kur është me barrë, ose kur ka pjellë. Lopa nuk duhet të mbrehet në parmendë, nuk duhet të tërheqë karrocën – e gjithë kjo konsiderohet gjynah i madh. Bujqit, që mbrehin lopët dhe lërojnë tokën me to, tregohen me gisht si varfanjakët më të mëdhenj. Një respekt i madh i gëzohet demit, i cili mbahet për ndërzim. Ai konsiderohet “babai i tufës së fshatit”. Ndryshe nga bagëtitë e tjera atij i lejohet të bredhë nëpër të gjitha arat dhe të kullotë, atje ku dëshiron. Për humbjet e shkaktuara prej tij paguan tërë fshati. Kur plaket demi flijohet.

Një pamje tepër interesante dhe e lashtë është ajo e demit të ujit – një krijesë mitike, sundues i liqenit. Një legjendë e tillë tregohet në krahinën Ezerishteto afër fshatit Kostenec, rajoni i qytetit të Sofjes. Atje kishte një liqen, në ujërat e të cilit jetonte një dem ujor. Kur bagëtia i afronte liqenit, ai dilte dhe fillonte një luftim të ashpër me demin e fshatit. Demi ujor gjithnjë dilte fitues nga ato dyluftime. Pasi menduan gjatë, fshatarët farkëtarë vendosën të punojnë brinjë prej hekuri për demin e tyre dhe kështu ai të luftojë me përbindëshin ujor. Plani i tyre u kurorëzua me sukses. Me njëpëllitje të fortë demi ujor u zhduk pa lënë gjurmë. Së shpejti liqeni u tharë dhe uji buroi në një kënd tjetër në afërsi të këtij liqeni.

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Tradita e daullexhinjve ose ndryshe kush i zgjon myslimanët gjatë Ramazanit

Dita e Arafatit është dita e fundit nga ditët e shenjta për myslimanët në muajin e Ramazanit. Në Islam, kjo është dita më fisnike e vitit, dhe lidhet me privimet e rënda 30-ditore - "agjërimin". Ngrënja e bukës dhe pirja e lëngjeve dhe e ujit bëhet vetëm..

botuar më 24-04-09 9.05.MD

Në Rodopet tingulli i gajdes është një magji, për të cilën tregon një muze lokal

Një kompozim skulpturor në fshatin е malit Rodopa - Shiroka Llëka lavdëron gajdexhinjtë dhe këngëtarët vendas, të famshëm në mbarë vendin dhe më gjerë. Quhet “Gajdexhiu”, dhe së fundmi në fshat u prezantua një roman me të njëjtin titull. Fshati..

botuar më 24-03-31 10.45.PD

Kukeri, pleq, babugeri, çaushi... Fshati Turija pret lojëra maskarade

Fshati nënballkanik Turija mirëpret mbi një mijë pjesëmarrës në lojërat e maskaradës "Pleqtë në Turija". Në edicionin e sivjetshëm të festivalit më 30 mars do të marrin pjesë 28 grupe me kukeri (njerëz të maskuar) nga e gjithë Bullgaria. Çdo vit..

botuar më 24-03-30 8.05.PD