Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

1944-ta – viti i cili ndryshoi historinë e Bullgarisë

БНР Новини
Foto: arkiv

Kur në fund të vitit 1941 qeveria bullgare, nën presionin e Hitlerit, u shpalli një luftë simbolike Britanisë së Madhe dhe SHBA-së, askush nuk supozonte se dy vjet më vonë ajo do të shndërrohej në një realitet të ashpër. Më 10 janar të vitit 1944 një formacion prej rreth 200 avionësh amerikanë bombardoi Sofjen.

Kështu filloi viti i kthesës 1944 në historinë bullgare. Bombardimet vazhduan edhe gjatë pranverës. Në fund të verës së vitit 1944 Bullgaria ndodhej në marrëdhënie të keqësuara edhe me Gjermaninë, krahas luftës reale me Londrën dhe Uashingtonin. Ajo kishte nevojë për një armëpushim të shpejtë me fituesit. Më 26 gusht, nën rrezikun e Ushtrisë së Kuqe, që përparonte në Rumani, qeveria e Ivan Bagrjanovit shpalli neutralitet. Të njëjtën ditë Komiteti Qendror i Partisë së Punës të Bullgarisë (Komunistët) dhanë një urdhër për marrjen e pushtetit nëpërmjet një kryengritjeje të armatosur. Më 2 shtator u formua qeveria e opozitës nga Bashkimi Agrar Popullor Bullgar “Vrabça 1”, me në krye Konstantin Muravievin, e cila qeveri vazhdoi bisedimet për paqe me të gjithë dhe shpalli se është pro “reformave demokratike”. Megjithëse zhvilloheshin reforma të nivelit të lartë, Bashkimi Sovjetik i shpalli luftë Bullgarisë. Më 8 shtator Ushtria e Kuqe hyri në territorin e vendit dhe okupoi një sërë qytetesh.


Ndërkaq, Komiteti Qendror i Partisë së Punës të Bullgarisë dhe Shtabi Qendror i Ushtrisë Popullore Çlirimtare të Kryengritësve (partizanët prosovjetikë) aplikuan planin e shpalljes së kryengritjes me qëllim vendosjen e një kontrolli të plotë mbi vend. Më 8 shtator me të gdhirë 9 shtatori gjatë sulmit sovjetik, oficerët nga rrethi politik “Zveno” (“Hallka”) sulmuan pikat kyçe në Sofje: Ministrinë e Luftës dhe Punëve të Brendshme, postën, telegrafin, radion. Qeveria e Konstantin Muravievit u rrëzua dhe pushtetin e mori qeveria e koalicionit antinazist dhe prosovjetik “Oteçestven Front” (“Fronti i Atdheut”) me në krye Kimon Georgievin. Në orën 6:30 në radio u dëgjuan fjalët e kryeministrit të ri. Për këtë mëngjes mësojmë më shumë hollësi nga kujtimet e doktor Petër Dertlievit (socialdemokrat, i persekutuar nga regjimi komunist, politikan i njohur), të ruajtura në Fondin e Artë të Radios Kombëtare Bullgare:

“Herët në mëngjes dëgjuam zërin e Kimon Georgievit, një zë që mund të provokonte gjithçka përveç respektit. E dëgjuam proklamimin e tij dhe u nisëm për në qendër. Shkuam në shesh. Atje grumbulloheshin njerëz. Duhet të jemi të sinqertë. Populli bullgar e di se si të mirëpresë. Ishte shumë tragjik, kur mbreti vdiq, ishte i entuziazmuar, kur vinin gjermanët, edhe tani ishin të entuziazmuar. Gjithmonë ka një pjesë të popullit bullgar, e cila të jetë e ekzaltuar në momente të tilla.”


Kështu 9 shtatori i vitit 1944 u shndërrua në një moment vendimtar të historisë së vendit. Kjo datë shkaktoi ndryshime të mëdha në shoqërinë bullgare. Më 10 shtator policia u shpërnda dhe u krijua milicia popullore, ku kishte kryesisht partizanë. Pas kësaj filloi një valë dhune nga ana e grupeve komuniste kundër të gjithë rivalëve të tyre. Më 12 shtator1944 ishte dhënë urdhër nga ana e qeverisë për arrestimin e ministrave të kabineteve nga viti 1941 deri më 1944, të deputetëve dhe të ushtarakëve. Kështu arrestet e filluara në masë në vend u legalizuan. Gjatë tre muajve në vijim u vranë mijëra njerëz nga inteligjenca kombëtare, nga administrata dhe elita ekonomike. Sipas të dhënave jozyrtare të vrarët pa gjyq janë nga 20 000 deri më 40 000 veta.

“Pse flitet kaq shumë për fitoren e kësaj kryengritjeje antifashiste? Vini re një fakt të rëndësishëm – dhuna dhe vrasjet filluan pas 12 shtatorit të vitit 1944. Indinjata e popullit nuk shpërtheu menjëherë, sepse në qoftë se e kanë vrarë vëllanë tim, unë do të filloj ta kërkojë atë menjëherë. Duhej të krijohej përshtypja se ka pasur një akt të madh heroik, se këtu ka pasur beteja, që të mund të justifikohet vrasja e kaq shumë njerëzve. Vriteshin jo vetëm ata, të cilët kishin bërë krime, por edhe të gjithë rivalët potencialë. Vdiqën shumë socialdemokratë, shumë përkrahës të partisë agrare, jo vetëm njerëz nga e djathta. Dikush dha urdhër, nuk e di nga erdhi kjo urdhër. Pas datës 12 shtator filluan ekzekutimet dhe zhdukjet në masë” – këtë e tha në vitin 1990 doktor Petër Dertliev.


Më 28 tetor të vitit 1944 në Moskë u nënshkrua armëpushim, me të cilën Bullgaria kaloi zyrtarisht në anën e Aleatëve. Bullgaria u detyrua për të dorëzuar forcat e saj të armatosura nën udhëheqjen e Komandës Sovjetike kundër Gjermanisë. Në fakt, nga 9 shtatori ushtria bullgare tashmë zhvillonte beteja kundër gjermanëve. Bullgaria u detyrua gjithashtu për t’u siguruar ushtrive ruse lëndë djegëse, ushqim dhe gjithçka të domosdoshme. Praktikisht armëpushimi legalizoi okupimin e vendit tonë nga ushtria sovjetike. U konstatua se okupimi nga ushtria ruse dhe shpenzimet e ushtrive sovjetike në periudhën 1944-1947 i kanë kushtuar vendit tonë 133 mlrd leva. Kështu dukej Bullgaria në vitin e kthesës 1944, vit ky që e vendosi fillimin e totalitarizmit te ne.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Fotografi: arkiv




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Viti 2012 – Aleksis Vajsenberg: “Çdo gjë është tingull”

“Ai ishte pianisti më i bukur në kohën, në të cilën jetonte. Një burrë elegant, krenar dhe i paarritshëm, i lindur sikur me frak në vitin 1929 në Sofje.” Kështu gazeta gjermane “Di Vellt” përshkruan pianisti i talentuar bullgar Aleksis Vajsenberg. Ai..

botuar më 15-12-05 11.20.PD

Viti 2011 – Artisti i paharrueshëm Vellko Kënev

“Jam i bindur, se edhe shkrimtari i talentuar Stanisllav Stratiev, i cili posaçërisht   për Vellko Kënevin e krijoi rolin në filmin emblematik “Orkestra pa emër”, vështirë do të gjejë fjalë qetësuese, në se do të ishte tek ne. Vellko Kënevi ishte një..

botuar më 15-11-28 9.35.PD

Viti 2010 – Kristalina Georgieva: “Është me rëndësi të dimë, se jemi barabartë me të gjithë në Evropë”

“Atë që ndodh në botë, na prek. Dhe sa më shumë i mbyllim sytë, sa më shumë përqendrohemi në problemet tona të brendshme, sa më shumë e kufizojmë horizontin tonë, aq më pak adekuat bëhemi në marrjen e vendimeve brenda në vend. Prandaj mund të them, se..

botuar më 15-11-21 12.10.MD