Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Festivali i Luleve të Egra në malin Rodope

“Ylli i Orfeut” (Lilium Rhodopaeum Delip)
Foto: Архив

Legjendat rrëfejnë se nëpër livadhet e mbuluara me orkide dhe aguliçe kanë shëtitur shtojzovalle të bukura, kurse mjektarët edhe sot e kësaj dite mbledhin bimë mjekësore me aromë të këndshme më 24 qershor (e ashtuquajtura “Ditë e Enjos”, ose “Dita e Diellit”). Gjatë muajit të barnave mjekësore dhe shtojzovalleve në disa fshatra piktoreske të Bashkisë së Smoljanit zhvillohet Festivali i Luleve të Egra. Atelietë krijuese për zanatet tradicionale dhe artistike, shëtitjet turistike nëpër shtigjet e markuara botanike, shëtitjet treditore me biçikleta ndër lulet e Rodopeve, bisedat kushtuar aplikimit të bimëve vendase mjekësore, këngët autentike folklorike dhe vallet e bukura... Kjo është vetëm pjesë e programit të pasur, i cili tërheq nga 21 deri më 30 qershor miq nga mbarë vendi dhe jashtë.

Iniciativa realizohet nga shoqata “Organizata ekologjike – Rodopet” dhe është përkrahur financiarisht nga Programi për Projektet e Vogla të Fondit Global Ekologjik, Programi “Kultura” i Komisionit Evropian nëpërmjet projektit “Evropa e ngjyrshme” dhe Bashkia e Smoljanit. Festa realizohet në kuadrin e projektit “Rodopet – Kopshti i Orfeut”, qëllimi i të cilit është ruajtja e florës unikale të regjionit dhe popullarizimi i saj si një produkt alternativ turistik, i cili të sigurojë vende suplementare të punës për popullsinë vendase. Ai gjithashtu është pjesë e rrjetit “Festivali i Luleve të Egra”, i cili përfshin Slloveninë, Kroacinë, Rumaninë dhe Britaninë e Madhe nën egjidën e PlanetLife International.

Haberlea Rhodopensis

“Në Rodope ka mbi 2000 bimë të larta. Kjo i bën Rodopet një mal unikal në Gadishullin Ballkanik – tha Emill Vaklinov nga “Organizata ekologjike – Rodopet”. – Me shumëllojshmërinë e vet mali ka se çfarë t’u ofrojë njerëzve, të cilët interesohen për botanikën dhe mënyrën shëndetësore të jetesës. Një prej bimëve interesante dhe të rralla, e cila është simbol i vetë festivalit, është Lilium Rhodopaeum Delip, e njohur gjithashtu si “Ylli i Orfeut”. Legjenda tregon se Orfeu ia ka dhuruar pikërisht këtë lule Evridikës, duke shprehur në këtë mënyrë dashurinë e vet ndaj saj. Ndoshta kjo është lulja më e bukur në Bullgari. Ajo rritet në disa vise. Një prej tyre është në rajonin e fshatit Sivino, mbi qytetin e Smoljanit. Një bimë tjetër e rrallë dhe shumë interesante është Haberlea Rhodopensis. Ndër bimët mjekësore është dhe Sideritis Scardica, e njohur si Çaji i Mursalit, i cili për fat të keq filloi të zhduket gjatë disa viteve të fundit. Kjo pjesë e Rodopeve disponon shumë lloje bimësh mjekësore, të cilat përdoren në mjekësi. Një pjesë e recetave të përdorura nga njerëzit e moshuar, janë harruar dhe kjo pasuri, që kemi pasur, mund të humbet. Prandaj në këtë mënyrë përpiqemi ta ruajmë këtë informacion edhe për brezat e ardhshëm.”

Tulipa rbodopaea dhe Gymnadenia conopsea (L.) R.Br.

Një prej ngjarjeve më të mëdha në kuadrin e festivalit është përpunimi i një pikture të madhe me emrin “Livadhi prej arnash”. Në krijimin e saj u përfshinë qindra fëmijë nga tërë vendi, të cilët pikturuan, qëndisën, ose aplikuan mbi një copë stofi lulen e tyre të dashur të egër prej florës vendase. Copat u mblodhën dhe u qepën në një pikturë të tërësishme, e cila është ekspozuar deri në fund të javës në Galerinë e Qytetit “Petër Stajkov” në Smoljan. Pas kësaj piktura do të paraqitet në festivalet e katër shteteve të tjera dhe në fund do të ekspozohet dhe në Bruksel, bashkë me pikturat e Sllovenisë, Kroacisë, Rumanisë dhe Britanisë së Madhe. Ideja e pikturës “Livadhi prej arnash” është që të shndërrohet në kartëvizitën e festivalit.

Lilium martagon L

Kulmi i Festivalit të Luleve të Egra do të jetë konkursi i këngëve “Zëri i Burimit”. Ai do të zhvillohet ditën e shtunë në fshatin piktoresk Smiljan. “Një prej ideve kryesore është që nëpërmjet këtyre këngëve të popullarizohet folklori vendas dhe në këtë mënyrë ai të ruhet për brezat e ardhshëm” – shpjegon Emill Vaklinov. Ndër sfidat e këndshme gjatë aktivitetit është degustimi i ushqimeve tradicionale të Rodopeve, të përgatitura krejtësisht nga produkte të pastra shtëpiake dhe ekologjike.

Pulsatilla Halleri

“Kuzhina, arti kulinar dhe pjesëmarrja e natyrës në të, është një prej gjërave, që përpiqemi të tregojmë gjatë festës – thotë zoti Vaklinov. – Natyra është pjesë e jetës sonë. Në shumë prej fshatrave të Rodopeve vendasit përdorin lule dhe bimë mjekësore, që të përgatitin reçele. Gjatë ditëve të para miqtë e festivalit patën mundësinë të degustojnë reçele dhe pije të tilla.”

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Fotografi: rhodopeflowersfestival.org

По публикацията работи: Rumjana Cvetkova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Helikopteri Mi-2 është "heroi" kryesor i Muzeut të Aviacionit në Burgas në shtator

Muzeu i Aviacionit në Burgas ia kushton muajin shtator një prej ekspozitave të tij të veçanta - helikopterit Mi-2, fluturimi i parë i të cilit ishte më 22 shtator 1961. Të apasionuarit pas aviacionit, banorët dhe turistët e qytetit tonë bregdetar..

botuar më 24-09-15 8.10.PD
Këdrinka Këdrinova

Këdrinka Këdrinova zyrtarisht mori detyrën si anëtare e Këshillit të Mediave Elektronike

Anëtarja e re e Këshillit të Mediave Elektronike, Këdrinka Këdrinova, nga kuota e presidentit, u prezantua zyrtarisht në mbledhjen e Rregullatorit të Mediave më 12 shtator, njoftoi reporterja e BNR, Maria Kostova. Me dekret të kreut të shtetit..

botuar më 24-09-13 10.22.PD
Drejtori i BNR-së Milen Mitev (majtas) me Akademikun Julian Revallski

Radioja Kombëtare Bullgare dhe Akademia Bullgare e Shkencave do të bashkëpunojnë në promovimin e botimeve për bashkatdhetarët tanë jashtë vendit

Radioja Kombëtare Bullgare (BNR) dhe Akademia Bullgare e Shkencave nënshkruan një Memorandum mbi bazën e të cilit do të bashkëpunojnë dhe do të ndërmarrin iniciativa të përbashkëta për të promovuar veprimtarinë shkencore dhe kërkimore të..

botuar më 24-09-12 4.49.MD