Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Akad. Georgi Markov: “Pas Bashkimit Bullgaria u bë një faktor më vete në Evropën Juglindore”

“Shpallja e Bashkimit”, piktor Atanas Zhekov
Foto: muzeini-relikvi.net

Data 6 shtator 1885 është lidhur me një prej ngjarjeve më të gëzueshme në historinë tonë – Bashkimi i Principatës Bullgare me Rumelinë Lindore. Kjo ndodhi 7 vjet pas Çlirimit të vendit tonë nga zgjedha pesëshekullore osmane si rezultat i Luftës Çlirimtare Ruso-Turke nga viti 1877-1878. Lufta përfundoi me nënshkrimin e Traktatit të Paqes në Shën Stefan, afër Stambollit. Sipas traktatit në shtetin e ri bullgar përfshihen troje, të populluara kryesisht me bullgarë. Mirëpo disa muaj pas lidhjes së tij, Kongresi i Fuqive të Mëdha në Berlin, i ndikuar nga interesat e ndryshme, i ndau këto troje në pesë pjesa. Më të mëdhatë prej tyre janë Principata Bullgare (Bullgaria Veriore dhe Qarku i Sofjes) dhe Rumelia Lindore – trojet në jug të malit Stara Pllanina, të cilat mbetën autonomi në kuadrin e Perandorisë Osmane.

© Foto: arkiv

“Kongresi i Berlinit”, piktor Anton von Verner, viti 1881

Georgi Markov
“Sigurisht që princi bullgar Aleksandër I Batenberg ishte për Bashkimin, por donte që ai të shtyhet, që të përgatitet në një mënyrë diplomatike – shpjegon historiani akademiku Georgi Markov. – Në atë kohë Rusia, e paraqitur nga mbreti Aleksandër III, ishte kundër Bashkimit dhe pikërisht ky është paradoksi: Rusia, e cila ishte dëmtuar nga Traktati i Berlinit, e përkrahte këtë traktat dhe ishte për ruajtjen e statukuos territoriale. Gjermania, me në krye kancelarin Bismark, gjithashtu ishte kundër Bashkimit. Nga ana e vet Princi Aleksandër I Batenberg kishte shqetësime se kjo do të shkaktonte vështirësi dhe Perandoria Osmane do të përfitonte nga kjo situatë e ndërlikuar, duke vendosur ushtri në Rumelinë Lindore. Mirëpo Lëvizja për Bashkimin, nëpërmjet komiteteve “Unitet”, Komitetit të fshehtë qendror revolucionar, në krye me Zaharij Stojanov (revolucionar, politik dhe shkrimtar) dhe ushtrisë bullgare në Rumelinë Lindore e përkrahnin Bashkimin dhe morën vendim që ky akt i shenjtë të mos shtyhet.”

Çfarë është roli i Zaharij Stojanovit në përgatitjen e Bashkimit?

© Foto: arkiv

Udhëheqja e Komitetit të fshehtë qendror revolucionar (Zaharij Stojanov – i dyti nga e majta në të djathtë)

“Ai mishëron lidhjen midis lëvizjes nacional-çlirimtare para dhe pas Çlirimit, me përvojën e grumbulluar revolucionare në krijimin e rrjeteve të komiteteve që nga koha e Vasill Levskit (organizatori dhe ideologu i luftërave çlirimtare). Zaharij Stojanov dhe Ivan Andonov – një ndihmës tjetër i Levskit, ishin më aktivë në krijimin e komiteteve vendase dhe në armatosjen e çetave, të cilat duhej t’i ndihmonin ushtarakët. Në fakt pikërisht kjo është fuqia e Bashkimit – nga njëra anë të gjitha partitë politike në Principatën Bullgare ishin për Bashkimin, pavarësisht nëse ishin parti rusofile, ose austrofile, kurse nga ana tjetër edhe në vetë Rumelinë Lindore kishte unitet të plotë se bullgarët nuk duhet të ndahen nga Stara Pllanina, se duhet të bashkohen dhe Fuqitë e Mëdha të mos kenë variant tjetër. Kuptohet, kishte risk, por atëherë, gjatë verës së vitit 1885, situata ndryshoi. Gjersa Rusia ishte kundër një bashkimi eventual, Britania e Madhe, e cila në Kongresin e Berlinit ishte kundër Bullgarisë së tërësishme të San Stefanit, e përkrahte Bashkimin. Pas kësaj ajo ndikoi mbi Perandorinë Osmane, që të mos ndërhyë në Rumelinë Lindore.”

© Foto: muzeini-relikvi.net

“Mikpritja e princit Aleksandër I në Plovdiv më 9 shtator të vitit 1885”, piktor Pietro Montani

Në një prej deklaratave të Bashkimit është shënuar se ai duhet të realizohet “në mënyrën më fisnike”, d.m.th. pa gjakderdhje, në mënyrë të qytetëruar. A është ky shkaku për suksesin e tij?

“Po, vërtetë. Princi Aleksandër I Batenberg botoi një manifest për Bashkimin, në të cilin ishte shënuar shprehimisht se pushteti i ri bullgar në ish Rumelinë Lindore do të respektojë të drejtat e të gjithëve – jo vetëm të shumicës bullgare, por dhe të turqve, armenëve, hebrenjve, grekëve. Prandaj nuk kishte kundërshtim ndaj Bashkimit nga ana e pakicave. Mirëpo më vonë mbreti serb Milan deklaroi se është për “ekuilibrin ballkanik” dhe Serbia sulmoi Bullgarinë. Por shtetet e tjera, përfshi këtu dhe Perandorinë Osmane, e cila ishte më e prekur nga Bashkimi, nuk kërkoi shkas për të ndërhyrë në Rumelinë Lindore.”

Me sa fitorja e ushtrisë bullgare në Luftën serbo-bullgare kontribuoi për njohjen e Bullgarisë së bashkuar?

“Kjo fitore ishte vendimtare, sepse mbreti Milan e sulmoi Bullgarinë në emër të statukuos dhe “ekuilibrit ballkanik” me mandat të një pjese prej Fuqive të Mëdha. Kështu qe në qoftë se ushtria serbe ishte ndërhyrë në Sofje, statukuoja territoriale mund të rimëkëmbej. Por atëherë, siç shkruajnë gazetat perëndimore, “ushtria e re bullgare bëri një çudi në betejën afër Slivnicës”. Fitorja kundër ushtrisë serbe në fakt e ripohoi Bashkimin dhe Fuqitë e Mëdha u bindën se në zemër të Ballkanik po krijohej një shtet i ri i fuqishëm – shteti bullgar, i cili sipas fjalëve të Bismakrut, do të luante një rol të rëndësishëm në zgjidhjen e Çështjes Lindore.”

© Foto: arkiv

“Serbët lusin për paqe”, kartolina prej vitit 1885

Cilat janë dobitë politike dhe ekonomike nga Bashkimi për shtetin bullgar?

“Pas bashkimit të Principatës Bullgare me Rumelinë Lindore u krijuan kushte më të favorshme për zhvillimin e industrisë në Bullgari. Po, vërtetë, Austro-Hungaria ruajti pronësinë e saj mbi Hekurudhat Lindore në Bullgarinë Jugore që deri në vitin 1908, por u krijuan kushte për ndërtimin e ndërmarrjeve industriale, për ndërtimin e një rrjeti të vet hekurudhor. Sa për anën politike të çështjes, Bullgaria tashmë kishte pozita më të qëndrueshme. Megjithëse vendi mbeti vasal të sulltanit deri në vitin 1908, kur u shpall pavarësia e saj, pas bashkimit Bullgaria u bë një faktor më vete në Evropën Juglindore.”

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
По публикацията работи: Veneta Pavllova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Familja e krishterë forcon marrëdhënien me Zotin

Hyrje e Hyjëlindëses së Tërëshenjtë në Tempull është një nga festat më të lashta dhe më të nderuara në botën ortodokse, e prezantuar në Kostandinopojë rreth shekullit të VIII-të, në kohën e Patriarkut Tarasij. Vetëm gjashtë shekuj më vonë, festa filloi..

botuar më 24-11-21 7.35.PD

Misioni sekret i zepelinit L 59 apo si Jamboll hyri në histori me një rekord botëror

Në një mëngjes të ftohtë nëntori të vitit 1917, në kulmin e Luftës së Parë Botërore, një zepelin L 59 u ngrit nga baza afër Jambollit për në Tanzani. Qëllimi ishte furnizimi i municioneve dhe materialeve për njësitë ushtarake gjermane të vendosura në..

botuar më 24-11-11 7.05.PD

Gjetje kurioze arkeologjike në zonën Kavacite pranë qytetit bregdetar Sozopoll

Arkeologët studiuan një nekropol në zonën Kavacite pranë qytetit bregdetar Sozopoll. Perimetri në të cilin ndodhet është pjesë e historisë së Apolonisë Pontika dhe daton në shekullin e IV-të para Krishtit. “Kjo është një zonë me varrime interesante,..

botuar më 24-11-10 9.55.PD