Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Varreza e Kazanllëkut

Foto: BGNES
Kazanllëk është i njohur si qytet i trëndafilave. Më shumë se tri dekada këtu rritet trëndafili vajdhënës, i cili i solli Bullgarisë famë botërore. Qyteti shtrihet në Luginën e bukur të trëndafilave buzë malit Stara Pllanina, jo larg qendrës gjeografike të Bullgarisë. Kazanllëk është një qytet i dashur i shumë turistëve bullgarë dhe të huaj. Rajoni rreth qytetit, i quajtur gjithashtu Lugina e mbretërve trakë, është i pasur me mbeturina arkeologjike unikale. Shkencëtarët bullgarë kanë zbuluar këtu artefakte të shumta, dëshmi për historinë e pasur të lashtë në këto troje. Një prej monumenteve më të vlershme është Varreza trake e Kazanllëkut, e përfshirë në listën e 100 objekteve turistike kombëtare. Supozohet se kjo është varreza e Rojgos – biri i udhëheqësit trak Sevt III. Monumenti është nga fundi i shekullit të tretë para erës së re – kur Sevt i III ka qenë udhëheqës i Mbretërisë së Edrenesë. Sot mbeturinat e kryeqytetit të tij të lashtë gjenden në fund të liqenit “Koprinka”, jo larg qytetit të sotëm të Kazanllëkut. Historiani Ivan Ivanov, i cili është dhe një prej ciceronëve me më shumë përvojë, të cilët njohin të gjitha detajet e Varrezës së Kazanllëkut, tregon për ndikimin e saj të madh mbi përfaqësuesit e UNESKO-s, të cilët e kanë vizituar qytetin për herë të parë në vitin 1966. Në vitin 1979 varreza trake u bë pjesë e listës së monumenteve të mbrojtura të organizatës botërore.

© Foto: bg.wikipedia.org


© Foto: bg.wikipedia.org

Varreza e Kazanllëkut u zbulua rastësisht në vitin 1944 nga disa ushtarë, të cilët bënin llogore për mbrojtje kundërajrore në kodrën Tjulbeto –
na tregon Ivan Ivanov. – Për fat të keq ajo u grabit që në lashtësi. Është zbuluar skeleti i një njeriu dhe i një kali, një amforë dhe qeramikë. Mirëpo kjo nuk është më e rëndësishmja. Një pasuri e madhe e Varrezës së Kazanllëkut janë afresket. Kjo është e vetmja varrezë me afreske të ruajtura kaq mirë. Ajo përbëhet prej tri pjesësh: një paradhomë, një korridor dhe një dhomë funerale. Paradhoma është ndërtuar me blloqe shumë të mëdha prej guri, por ajo nuk është ruajtur mirë. Në pjesën e saj të poshtme ka një plintë me figura lulesh, kurse në pjesën e sipërme janë pikturuar veprime ushtarake. Në njërën anë janë pikturuar ushtarë trakë, kurse në anën tjetër janë armiqtë e tyre. I dallojmë për nga veshja dhe armatosja e tyre. Më mirë janë ruajtur korridori dhe dhoma funerale. Pasuria më e madhe e kësaj varreze është pikërisht dhoma funerale, me afreskun, që zbukuron kubenë e saj. Në mur është pikturuar dreka e fundit e një udhëheqësi trak me të shoqen.

© Foto: imagesfrombulgaria.com


Udhëheqësi trak është pikturuar me një kurorë mbi kokë. Burri ia zgjat dorën së shoqes, e cila është ulur në një fron të bukur. Gruaja është veshur me një hiton dhe ka diademë në kokë. Sipas historianit Ivan Ivanov në sytë e gruas së re fshihet dhimbje për bashkëshortin dhe mosdashjen e saj për t’u varrosur bashkë me të shoqin, sepse sipas traditës së trakëve ajo duhet të varroset bashkë me burrin e vet.

© Foto: imagesfrombulgaria.com


Nga ana e bashkëshortes së udhëheqësit shihen dy gra të reja. Njëra mban në duar një kuti, kurse tjetra ka zgjatur një shall të kaltër. Prapa saj shihet një skenë shumë emocionuese: një karrocier, i cili mezi nget një karrocë me katër kuaj, që vrapojnë galop. Asnjë figurë në këtë skenë nuk është e rastit – thotë zoti Ivanov. – Muzikantet, të cilat i bien flautit, ripohojnë faktin se trakët e kanë adhuruar muzikën. Burrat që qerasin me verë tregojnë se trakët kanë qenë ndër prodhuesit më të njohur të verës në Gadishullin Ballkanik. Skenat luftarake në korridorin e varrezës nga ana tjetër tregojnë se trakët kanë qenë një popull liridashës dhe krenar. Që të ruhen afresket për brezat e ardhshëm, në varrezë mirëmbahet një temperaturë dhe lagështi e përhershme e ajrit. Ky është dhe shkaku për të cilin ajo hapet për vizita vetëm me lejë të Ministrisë së Kulturës. Në vitin 1984, shumë afër origjinalit u ndërtua një kopje e kësaj varreze, që është hapur për vizituesit gjatë tërë vitit. – thotë Ivan Ivanov.

Historiani na rikujton gjithashtu se pikërisht në rajonin e Kazanllëkut arkeologu Georgi Kitov zbuloi një maskë të artë të një udhëheqësi trak. Ajo është vetëm një pjesë e artefakteve të shumta nga koha e trakëve, të zbuluara në këtë krahinë.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
По публикацията работи: Lina Ivanova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Qyteti antik Herakleja Sintika zbulon sekretet e tij

Herakleja Sintika ishte një vendbanim kozmopolit në të cilin bashkëjetuan fise, etnose dhe popuj të ndryshëm. Ai ndodhet në territorin e bashkisë së qytetit Petriç dhe më saktë në rajonin e fshatit Rupite, në afërsi të vullkanit të shuar Kozhuh...

rinovuar më 18-06-11 12.21.MD

Restaurimi i Tombul Xhamisë, ose një histori e shkurtër për tempullin, kohën dhe njerëzit

Shumeni është një qytet i njohur si një nga qendrat e Rilindjes bullgare, të jetës kulturore dhe shpirtërore, ku ende mund të ndihet shpirti i kësaj kohe. Në qoftë se shëtitni në rrugën e kalldrëmit  “Mbreti i Çlirimit” dhe ecni drejt Tombul..

botuar më 18-03-10 10.15.PD

Banesat e neolitit në Stara Zagora – më të vjetrat në Evropë

Banesat e neolitit në Stara Zagora janë një monument i jashtëzakonshëm historik me rëndësi botërore. Ato janë një prej 100 objekteve turistike kombëtare. Në muzeun, që ngrihet mbi vetë zbulimet arkeologjike mirëmbahet temperaturë dhe lagësirë e..

botuar më 18-02-10 10.15.PD