Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Pritjet ekonomike për vitin 2011

Kam një lajm të mirë dhe një lajm të keq, i tha punonjësi menaxherit. Fillo me lajmin e mirë, ia ktheu menaxheri. Edhe ne do të fillojmë me të. Sipas qeverisë gjatë vitit të kaluar recesioni në Bullgari përfundoi dhe prognozat për rritje të ekonomisë me 3,6% duken të arritshme. Por sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar kjo rritje do të jetë jo më shumë se 0,4%. Ekspertët e Fondit paralajmërojnë se ekonomia bullgare mund t’i mbështetet vetëm eksportit. Do të rikujtojmë se gjatë vitit 2010 Bullgaria regjistroi rritjen më të madhe të eksportit në kuadër të BE-së – 33%. Rreziqet e tjera kanë të bëjnë me tregun e brendshëm – papunësi, kreditim i vogël i firmave dhe qytetarëve, konsum i brendshëm i ulët. Një lajm i mirë është gjithashtu se qeveria ka ambicie të mëdha që deficiti në thesarin e shtetit të mos tejkalojë 3%, që janë kërkesat e Brukselit, megjithëse vitin 2010 e dërguam me deficit të buxhetit 4,7% të PBB-së. Ministri i financave Simeon Djankov tha se Bullgaria do të jetë njëri prej katër shteteve që do ta zbatojnë këtë kriter. Ai saktësoi se viti 2010 ishte një vit i rëndë financiar për tërë Evropën, por për Bullgarinë ai përfundoi në mënyrë optimiste për shkak të tepricës së të ardhurave. Ministri prognozoi se viti 2011 do të jetë më i mirë për Bullgarinë në pikëpamje financiare. Sipas tij rezerva fiskale e vendit do të arrijë 6 miliardë leva dhe jo 4,5 siç parashikohej.

Tregu i kredive do të gjallërohet pak, kurse interesat nuk do të ulen më, prognozojnë ekspertët nga sektori bankar. Pasi shumica e bankave në Bullgari janë shoqëri bija të institucioneve financiare ndërkombëtare, ato do të ndjekin tendencat në Evropë. Aq më shumë se kreditë e këqija arritën 3,6 miliardë euro. Me fjalë të tjera, lajmi i keq është se kreditimi i dobët gjatë vitit të kaluar do të përsëritet edhe gjatë këtij viti, kurse kërkesat e mëdha të bankave do të vazhdojnë të shtrëngojnë tregun e kredive. Dhe një lajm tjetër i keq: tendenca e uljes së investimeve të huaja direkte, të cilat janë faktori kryesor për gjallërimin e ekonomisë bullgare, do të ruhet edhe sivjet. Ato u ulën tri herë në krahasim me vitin 2009 dhe në fund të vitit 2010 ishin 884 milionë euro. Disa ekonomistë madje prognozojnë rrjedhje të kapitaleve jashtë Bullgarisë. Një tendencë e tillë u vu re gjatë vitit 2010. Ky ishte një minus për ekonominë bullgare, por plusi është se absorbimi i mjeteve të fondeve evropiane shënoi rritje. Sipas të dhënave jo përfundimtare për vitin 2010 efekti financiar i anëtarësisë së Bullgarisë në BE arriti 860 milionë euro. Një injeksion tjetër financiar nga jashtë e ndihmon ekonominë tonë – këto janë 600 milionë euro që bullgarët që banojnë jashtë shtetit ua kanë dërguar të afërmve të tyre në Bullgari. Kjo tendencë do të ruhet.

Si do të zhvillohet tregu i pronave të patundshme, i cili për vit të dytë të radhës regjistron ulje të çmimeve. Disa ekspertë prognozojnë se njerëzit do të preferojnë përsëri investime të tilla, për shkak të frikës nga inflacioni dhe humbja e parave. Por të tjerë pohojnë se pakësimi i kërkimit do të vazhdojë, megjithëse çmimet e pronave të patundshme kanë arritur nivele, në të cilat shitja është e paarsyeshme. Njëkohësisht tregu bullgar ndikohet nga tendencat ndërkombëtare. Thellimi i krizës në tregjet ndërkombëtare të pronave të patundshme mund të bllokojë projektet e investitorëve të huaj te ne.

Rreziqet kryesore për ekonominë bullgare mbeten konsumi i brendshëm i ulët dhe rritja e çmimeve. Tendenca e vitit të kaluar, kur inflacioni arriti 4,6%, gjithashtu do të ruhet. Ky është lajmi i keq, por i miri është se kjo tendencë bëhet arsye që bullgarët të kursejnë. Mbetën në të kaluarën kohët, kur bliheshin apartamente, makina, bëheshin riparime, udhëtime jashtë shtetit. Paratë e kursyera në formën e depozitave në banka përmirësuan rekordet me 31 miliardë euro.

Përgatiti në shqip: Ekaterina Tarpomanova
По публикацията работи: Tanja Harizanova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Georgi Kadiev

Georgi Kadiev nga e “Majta”: “Më mirë pres që të hyjmë në Eurozonë në vitin 2027”

Derisa të ardhurat mesatare të popullsisë të arrijnë 80% të mesatares evropiane, nuk duhet të hyjmë në Eurozonë. Së bashku me të shkon edhe inflacioni dhe duhet të ketë një rezervë. Këtë e deklaroi para BNR, Georgi Kadiev, ish-zëvendësministër i..

botuar më 24-06-27 2.48.MD

Bullgaria ende nuk i plotëson kriteret për eurozonën

Bullgaria plotëson 3 nga kriteret e Mastrihtit për anëtarësim në eurozonë, por ende nuk i përmbush objektivat e stabilitetit të çmimeve dhe inflacionit, sipas një raporti të Komisionit Evropian, transmeton BTA. Bullgaria nuk i plotëson ende..

botuar më 24-06-26 2.57.MD

Marrim 65.2 milionë euro nga BE-ja për të forcuar rrjetin e transmetimit të energjisë elektrike

Bullgaria do të marrë 65.2 milionë euro nga BE për një projekt për forcimin e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike në mbështetje të integrimit të energjisë së rinovueshme, sipas një deklarate nga Komisioni Evropian. Paratë janë pjesë e një..

botuar më 24-06-24 2.19.MD