Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Pleven – qyteti me shumë fytyra

Foto: imagesfrombulgaria.com
Pleveni është qyteti i shtatë për nga madhësia në Bullgari. Ndoshta nuk ka një vend tjetër, ku monumentet, të cilat rikujtojnë për ngjarjet historike, të jenë në një harmoni të plotë me kohët moderne. Kryetarja e këshillit konsultativ për turizmin pranë Bashkisë së Plevenit, Maria Kavulska, tregon për të kaluarën e qytetit:

“Pleveni ka një histori të gjatë. Këtu janë gjetur rrënoja qysh nga fundi i mijëvjeçarit të pestë para Krishtit. Vendbanimi antik Strogozia ishte një stacion rrugor në Perandorinë Romake, ai u ndërtua në vendin e një qyteti të lashtë trak. Në ditët tona është ruajtur një monument shumë i vlefshëm arkeologjik – bazilika e hershme e shekullit IV, e cila është e dyta për nga madhësia në Bullgari pas bazilikës mbretërore në kryeqytetin e vjetër Pliska. Rrënojat mund të shihen në kompleksin natyror Kajllëka, i cili ndodhet në periferinë e Plevenit.”

Banorët e Plevenit e duan historinë e qytetit dhe kujdesen për ruajtjen e saj. Sipas zonjës Kavulska, në Pleven ka mbi 200 monumente, të lidhura me ngjarjet historike në kohën e çlirimit të Bullgarisë nga zgjedha osmane. Me rast të 100 vjetorit të çlirimit është ndërtuar Panorama “Epopeja e Plevenit të vitit 1877”. Këtu të gjithë e quajnë “Panorama e Plevenit”, e konsiderojnë simbol të qytetit dhe krenohen se ajo është njëra prej gjithsej 30 panoramave të tilla në tërë botën. Kur njeriu ndodhet ndër pëlhurat piktoreske, skulpturat dhe sendet e përpunuara në mënyrë krejt realiste, para syve të tij gjallërohen pikturat e përleshjeve më të egra për Çlirimin e Bullgarisë. Natyra gjithashtu është kujdesur që Pleveni të jetë një vend atraktiv për turistët.

“Një nga objektet natyrore më interesante afër Plevenit është Çernelka, ku ka një shteg ekologjik – rrëfen Maria Kavulska. – Ky është një kanion karstik në Rrafshinën e Danubit. Ndodhet midis dy fshatrave në bashkinë tonë. Kanioni është me gjatësi shtatë kilometra, gjerësia e tij arrin deri në 200 metra, kurse lartësia – deri në 30 metra. Është një vend shumë i bukur. Pleveni vizitohet nga turistët dhe për shkak të galerive të shumta. Një prej tyre është “Koleksioni dhuratë Svetlin Rusev”. Piktori i madh bashkëkohor bullgar Svetlin Rusev lindi në Pleven dhe i dhuroi qytetit mbi 400 vepra nga koleksioni i tij personal. Këtu mund të shihen vepra të artit modern bullgar, të artit të Evropës Perëndimore, Indisë, Afrikës dhe Amerikës Latine. Godina e galerisë gjithashtu është një monument interesant. Ajo u ndërtua në fillim të shekullit të kaluar. E quajnë “Banja turko-romake” për shkak të elementeve të arkitekturës specifike mavritane.”

Në fund të tetorit në galerinë “Ilija Beshkov” u hap Bienalja e pestë e formave të vogla, në të cilën u përfshinë mbi 200 autorë. Përveç në galeritë e artit, fytyra kulturore e Plevenit mund të shihet dhe në afishen e operës. Katja Popova, Gena Dimitrova, Asen Selimski dhe Hristo Brëmbarov, të cilët kanë lindur në Pleven, lënë gjurmë të thella në artin operistik botëror të shekullit XX dhe në saje të tyre Bullgaria u bë e njohur si vendi i zërave të mëdhenj operistikë. Tetari dramatik gjithashtu është me një histori të gjatë, tashmë 85 vjeçare. Një vizitë në Pleven nuk mund të mos mbarojë me parkun Kajllëka. Ky është vendi i preferuar për shëtitje i banorëve të qytetit. Shëtitore për çiklistë dhe këmbësorë, sheshe për fëmijë, pishina dhe kafene janë në dispozitë të secilit që dëshiron të ikë nga atmosfera e qytetit. Gjatë viteve të fundit Kajllëka ofron dhe një argëtim tjetër – turizëm për adhuruesit e verës.

“Ky është muzeu i verës – tregon Maria Kavulska. – Ai ndodhet në një shpellë në parkun Kajllëka. Muzeu u krijua nga disa arkitektë dhe enologë bullgarë dhe francezë. Shkaku të bëjmë një muze të tillë në qytetin tonë është se Pleveni konsiderohet qendra e parë e industrisë së verës në Bullgari. Këtu është dhe shkolla e parë me profil prodhim verërash, e cila ekziston deri më sot. Shkolla u themelua gjatë vitit 1890, ndërsa gjatë vitit 1902 u krijua Instituti i parë i verës te ne. Në muze ruhen eksponate të verërave të vjetra – 30, madje 90 vjeçare. Koleksioni përmban dhe 6000 shishe verërash bashkëkohore nga të gjitha markat dhe të gjitha regjionet e vendit. Këtu mund të ndiqet historia dhe mënyrat e prodhimit të kësaj pijeje. Ka dhe një sallë të posaçme për degustim.”

Dimri i ftohtë dhe vera e nxehtë kurrë nuk kanë qenë pengesë për zhvillimin e turizmit në Pleven. Megjithatë pranvera është stina, e cila zbulon mahnitjen e vërtetë të qytetit. Madje një shëtitje në qendrën e Plevenit do ta bëjë çdo mysafir të ëndërrojë të kthehet përsëri në këtë qytet me shumë fytyra.

Përgatiti në shqip: Ekaterina Tarpomanova
По публикацията работи: Lina Ivanova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Festivali i kosit në Momçillovci

Festivali i kosit - kultura dhe traditat '2024 fillon sot në fshatin Momçillovci , rrethi i Smoljanit, në malin e Rodopeve . Festa, e cila organizohet nga Bashkia e Momçillovcit, një kompani partnere kineze dhe të tjerë, do të zgjasë..

botuar më 24-08-30 6.05.PD

Vendpushimi Albena festoi 55 vjetorin e tij

Vendpushimi “Albena” në bregdetin veriore bullgar festoi përvjetorin e tij me 11 mijë turistë, njoftoi BTA. Shumica e të ftuarve janë nga Gadishulli Skandinav, po rritet edhe numri i francezëve, çekëve dhe polakëve. Turistët bullgarë dhe rumunë kanë..

botuar më 24-08-26 11.56.PD

Insistojnë që Bazilika Episkopale e Filipopolit të hyjë në listën e UNESCO-s

Bazilika Episkopale e Filipopolisit është një shembull i gjallë se si mbështetet zhvillimi i turizmit kulturor bullgar, tha ministri në detyrë i turizmit Evtim Milloshev në takimin me Nancy Schiller, presidente e Fondacionit "Amerika për..

botuar më 24-08-22 10.19.PD