Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Sahatet e Sofjes si atraksion turistik

Mbi kubenë e Ministrisë së Bujqësisë mund të shihet një prej orëve më të vjetra të qytetit.
Foto: Millka Dimitrova

Monumentet dhe itineraret historike të kryeqytetit bullgar dëshmojnë për pasurinë e një qyteti të lashtë. Mirëpo në qoftë se turistët vendosin ta njohin më mirë Sofjen, ata mund ta bëjnë këtë në një mënyrë origjinale, duke shëtitur në rrugën e sahateve të Sofjes. Është e vërtetë se nuk do të shohin sahat si i ashtuquajturi sahat astronomik nga shekulli i XV-të i Stare Mesto në Pragë, i cili tregon lëvizjen e Diellit dhe të planetëve, shenjat e zodiakut, kalendarin e muajve dhe figurat e apostujve, të cilat lëvizin njëra pas tjetrës në çdo orë, ose si ai i Londrës Big Ben, i dislokuar në Kullën pranë Pallatit të Uestminstër. Por edhe në Sofje një itinerar i tillë zbulon pjesëza prej historisë së qytetit.

Është e vështirë të thuhet se sa janë sahatet në Sofje. Një prej tyre gjendet në dy prej anëve të godinës së Bankës Popullore Bullgare. Ajo bën përshtypje me stilin e saj të pastër dhe ndodhet në vetë qendrën e qytetit, përballë Pallatit të Mbretit, i cili deri në vdekjen e mbretit të fundit bullgar Boris III në vitin 1943 ishte rezidencë e tij. Banka Popullore Bullgare gjendet afër godinave të Këshillit të Ministrave dhe të Presidencës. Godina u ndërtua në periudhën 1934 – 1939 dhe është vepër e arkitektëve bullgarë Ivan Vasiljov dhe Dimitër Collov. Nga ajo kohë është edhe ora mbi godinë. Në fakt Banka Popullore Bullgare u themelua në vitin 1879 dhe konsiderohet një prej institucioneve më të vjetra qendrore bankare në botë, megjithëse godina e tanishme nuk është shtëpia e saj e parë. Por gjithçka në të është autentike, madje dyert e bukura prej metali dhe nuk është restauruar që nga ndërtimi i saj deri më sot.

Gjithashtu vepër e arkitektëve Ivan Vasiljov dhe Dimitër Collov është godina e Bibliotekës së Universitetit, në pjesën e sipërme të së cilës gjithashtu mund të shihet një prej orëve më të vjetra të qytetit. Ajo u ndërtua në vitin 1934 dhe gjendet në oborrin e Universitetit të Sofjes “Shën Klementi i Ohrit”. Ajo bën përshtypje me arkitekturën e saj origjinale dhe kuptohet me mijërat libra dhe dorëshkrime të vlershme, të cilat përdoren nga studentët në universitetin më të vjetër bullgar. Godina gjendet afër Parlamentit bullgar, Akademisë së arteve figurative dhe Bibliotekës Kombëtare “Shenjtorët Kirill dhe Metodi”.

“Banka e Burovit”

Duke shëtitur në një prej rrugëve më të gjallëruara të Sofjes “Graf Ignatiev” turistëve do t’u bërë përshtypje një godinë interesante arkitekturore. Sofjanasit e quajnë “Bankën e Burovit”, sepse është ndërtuar në vitin 1921 nga bankieri, i cili më vonë u be dhe politikan Atanas Burov (1875 – 1954), një prej bullgarëve më largpamës, me fat tragjik. Godina bën përshtypje me basorelievin e saj, me skulpturat e saj. Ora mbi kube sikur mbahet nga dy atletë të gjunjëzuar, kurse mbi të janë skulpturat prej mermeri të fëmijëve. Edhe sot në të gjithashtu gjendet një institucion bankar.

Mbi kubenë e një prej godinave më të bukura të Sofjes, ajo e Ministrisë së Bujqësisë në Sofje, gjithashtu ka një orë. Historia e godinës është nga viti 1912, kur një juri ndërkombëtare prej arkitektësh italianë, austriakë, francezë dhe bullgarë i dorëzoi një çmim të parë projektit të arkitektit bullgar Nikolla Llazarov (1872 – 1942). Por ndërtimi filloi që gjatë vitit 1920, pas Luftës së parë botërore. Meqenëse arkitekti Llazarov ka studiuar në Francë, godina është ndërtuar sipas stilit të barokut, mbi kubenë e së cilës është vendosur ora. Godina është ruajtur e pandryshuar që nga ndërtimi i saj. Ajo është shpallur monument i kulturës. Emill Davçev nga Muzeu Politeknik në Sofje është njeriu, i cili studion historinë e përhapjes së orëve në Bullgari. Sipas tij që në një dorëshkrim nga shekulli i XVII-të përmendet ekzistenca e një sahati në trojet tona që në kohën e zgjedhës turke, nga e cila Bullgaria u lirua në vitin 1878. Ai thotë:

“Dëshmitë më të hershme janë për një sahat në qytetin e Plovdivit. Gjatë vitit 1612 një aventurier duke e përshkruar kalimin e vet përmes qytetit thotë se ka parë një sahat shumë të vjetër, ndoshta nga viti 1550. Pas kësaj sahate ndërtohen në shumë qytete të Bullgarisë. Ka pasur shumë mjeshtër orësh, të cilët kanë qenë amatorë. I tillë është fisi i Haxhiradonovi nga qyteti Bansko (i cili sot është një ski qendër). Është vështirë të thuhet kur është ndërtuar në Sofje ora e parë e qytetit. Është përhapur mendimi se kjo ka ndodhur në fillim të shekullit të XX-të, kur në Sofje u kthye Georgi Haxhinikollov, i cili është bullgari i parë, i cili ka mbaruar një shkollë profesionale për përpunim orësh në Zvicër. Ai krijoi punishten e parë në Sofje për orë “Zora”, si dhe fabrikën e parë për prodhim orësh “Gnomon”.

Garo Shadian është një orëbërës i vjetër në Sofje. Sipas tij po fillon ofensivë e bërjes së orëve të reja jo vetëm në kryeqytet. Porositë po bëhen nga persona privatë, të cilët dëshirojnë në godinat e reja të ketë orë. “Njerëzit fillojnë të vlerësojnë gjithnjë e më shumë kohën dhe në tërë vendin po fillon restaurimi i orëve të vjetra dhe montimi i orëve të reja” – thotë Garo Shadian.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

По публикацията работи: Millka Dimitrova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Udhëto ngadalë, pusho aktivisht apo se si turizmi rural në vendin tonë hyri në një fazë të re

Turizmi rural po bëhet një formë e preferuar rekreacioni, veçanërisht ndër familjet dhe të rinjtë që zgjedhin një mënyrë jetese miqësore me mjedisin dhe duan të minimizojnë gjurmën e tyre të karbonit. Dhe nëse disa vite më parë një pushim në fshat..

botuar më 24-09-23 9.25.PD
Pallati Kombëtar i Kulturës

Një qendër teknologjike kozmopolite dhe një nga qytetet më të gjallëruara evropiane – edhe Vogue vlerësoi hijeshitë e Sofjes

Sofja doli sërish në qendër të vëmendjes. Një artikull i gjerë i revistës Vogue hedh dritë mbi zhvillimin dinamik dhe hijeshinë unike të kryeqytetit bullgar, duke e quajtur atë "qyteti më i gjallëruar në Evropë për momentin". Kryeqyteti bullgar..

botuar më 24-09-17 7.05.PD
Foto: Facebook / IV Festa e Balonave - Bellogradçik 2024

Bellogradçik ju fton në një Festë Balonash nga 20 shtatori

Për të katërtin vit, një nga vendet më të bukura për të fluturuar në botë – Shkëmbinjtë e Bellogradçikut , do të presë Festën e Balonave. Pilotë nga vende të ndryshme evropiane do të marrin pjesë me balonat e tyre në eventin, i cili do të..

botuar më 24-09-14 3.25.MD