Luftërat, arratisja nga regjimet politike, kërkimi i një jete më të mirë gjatë viteve i kanë çuar shumë bashkatdhetarë tanët larg atdheut. I tillë është rasti i banorëve të një fshati “bullgar” në Izrael – Beit-Hanaan.
Fshati gjendet në pjesën qendrore të vendit, vetëm 20 km larg qytetit të tretë për nga madhësia në Izrael - Rishon LeZion. Ky vend është i bekuar, na tregojnë korrespondentet e Radios Kombëtare Bullgare Fenja dhe Iskra Dekalo. Në dallim të vendbanimeve të tjera uji atje është shumë afër sipërfaqes, ndërsa toka është pjellore dhe kjo nuk është e rastit. Vendbanimi është zgjedhur me vëmendje të madhe nga njerëzit më të shquar të bashkësisë hebraike nga qyteti bullgar Plovdiv, që janë vendosur atje në fillim të shekullit XX.
Beit-Hanaan nuk është fshati tipik-kibuc (komunë bujqësore në Izrael me pronësi të përbashkët dhe barazi në ndarjen e punës dhe konsumit).
Banuesit e parë ishin shumë të pavarur dhe nuk u nënshtroheshin rregullave gjysmë-ushtarake të kibucëve. Çdo një prej tyre kujdesej vetë për tokën e vet. Kooperoheshin vetëm për blerjen e teknikës.
Shtëpitë e para në Beit-Hanaan dukeshin si baraka. Me kalimin e viteve fshati u zgjerua dhe filloi ndërtimi i godinave gjithnjë e më solide me arkitekturë të ngjashme me atë bullgare. Në dallim të stilit arab arkitekturor shtëpitë e fshatit ishin me çati të pjerrëta, megjithëse atje nuk bie borë. Mirëpo, dritaret e dhomave të gjymit janë më të vogla nga ato bullgare – për shkak të diellit të fortë dhe vapës së madhe.
Bashkëfolësi ynë nga Beit-Hanaan është kryetari i qarkut:
“Quhem Moni Elimeleh dhe kam lindur në Izrael. Nëna ime është nga Sofja, ndërsa babai im – nga Nikopoli (Bullgari Veriore). Kryesoj 10 fshatra. Këtu mbajmë pula për vezë, kultivohen portokaj, avokado, mango dhe perime. Në Beit-Hanaan – më i vjetri nga këto fshatra, kemi një muze, ku ruhen letra dhe sende nga Bullgaria, të sjella nga banorët e tij.”
Fenja dhe Iskra Dekalo na treguan një fakt kureshtar – dikur që të pranoheshin në Perandorinë Osmane hebrenjtë nuk duhej të merreshin me bujqësi. Prandaj në vazhdim të shumë viteve pas çlirimit të Bullgarisë nga zgjedha osmane, ta quash hebreun “bujk” konsiderohej si një kuriozitet. Mirëpo, në Beit-Hanaan jetojnë dy motra – Jael dhe Mihal Menda, të cilat edhe sot e kësaj dite e përpunojnë tokën e trashëguar nga babai i tyre.
“Babai ynë ka mbarur gjimnazin në Bullgari, ndërsa nëna jonë – një kolegj francez. Prindërit e tyre kanë qenë njerëz të pasur dhe kanë pasur dëshirë për t’i dërguar në Francë ku të bëjnë studime. Babi – të mësojë mjekësi, ndërsa nëna jonë – modë. Mirëpo në atë kohë ata ishin pasionuar pas ideve të gazetarit–rebel Josif-Marko Baruh (mik i shkrimtarëve të njohur bullgarë Aleko Konstantinov dhe Ivan Vazov), ithtar për kthimin e hebrenjve në tokat nga të cilat ishin dëbuar nga Perandori Tit (79-81). Pak më vonë prindërit tanë u vendosën në Izrael dhe filluan të merren me bujqësi – mbollën kopshte me portokaj dhe mandarina, rritnin pula. Sot në fshatin tonë ka një fermë elitare për rritjen e kuajve dhe një kombinat modern për rritjen e pulave, ndërsa ne po e vazhdojmë punën bujqësore.”
Në Beit-Hanaan ka një Shtëpi të madhe të Kulturës. Deri përpara 20 vitesh atje ka pasur veprimtari aktive – na treguan Jael dhe Mihal Menda. – Ka pasur një kor, në të cilin ka kënduar i ati i tyre, si dhe një grup valltarësh.
“Nuk mbaj mend se çfarë ishin vallet – thotë Mihal. – Në fotografitë tona valltaret janë veshur me kostume të stilizuara bullgare, por janë zbathur. Sot njerëzit kanë vetura dhe preferojnë të argëtohen në qytet, por dikur këtu na kanë vizituar teatro dhe orkestra të njohura. Shkolla jonë po vazhdon të jetë e madhe. Ne e kemi mbaruar, ndërsa më vonë unë jepja mësime të gjeografisë dhe botanikës. Kam qenë në Bullgari, në ekskursionin e njohur ndër izraelitët “Në kërkim të rrënjave”. Atëherë vizituam edhe fshatin e prindërve të mi – Belashtica (Bullgari Jugore). Kemi një fotografi të tyre të vjetër – ata janë nën dy lisë në bregun e lumit. Pemët edhe tani janë atje. Ne gjithashtu u fotografuam atje bashkë me bujqit e tanishëm në Beit-Hanaan.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Fotografitë janë dorëzuar nga autoret