Më 19 tetor Bullgaria ortodokse shënon nderin e mbrojtësit të saj qiellor Shën Ivan Rillski. Me emrin e tij është lidhur një prej manastireve më të respektuara nga të gjithë bullgarët, i cili është shpallur monument i UNESKO-s. Manastiri i Rillës ka ruajtur gjatë shekujve besimin dhe shpirtin e popullit tonë. Igumeni i tij i parë ka qenë Ivan Rillski, i cili ka banuar shumë vite në vetmi të plotë në pyllin e malit më të lartë bullgar Rilla. Populli dhe kisha e quajnë çudibërës, për shkak të dëshmive të shumta për shërim nga Zoti dhe të lutjeve të zbatuara në saje të Shenjtorit.
Kjo që ne e dimë për të nuk mjafton – shënon Ati Bojan Sarëev. – Koha, në të cilën ai ka jetuar, është larg kohës sonë, në fund të shekullit IX dhe në fillim të shekullit X. Këto kanë qenë kohëra të vështira dhe të sëmura për popullin dhe shtetin. Zvetënimi ka qenë i madh, ka pasur shumë sekte. Pikërisht në kohëra të tilla të vështira Zoti e ka dërguar Shën Joan Rillskin, që të na rrëfejë për të vërtetat e Ungjillit të Shenjtë.
Ivan Rillski ka hedhur poshtë qëllimin për pasuri, ndërsa lakmia dhe zilia sipas tij kanë qenë veset më të mëdha, të cilat i kanë penguar njerëzit në rrugën e lartësimit të shpirtit.
Pasi u bë murg Ivan Rillski shkoi në malin Rilla, që të mund t’ia kushtojë jetën Zotit. Larg kotësisë së botës ai lutej dhe kur vetë mbreti Petër shkoi tek ai me fryte dhe ar, murgu refuzoi të flasë me të dhe vetëm u përkul nga larg. Mbreti i dha atij dhurata të shumta, por plaku i shenjtë pranoi vetëm frytet. Ai i falënderoi në një letër mbretit për bujarinë e tij dhe i drejtoi atij disa këshilla. Ndër to është dhe ajo për të gjithë që qëllojnë ta udhëheqin vendin tonë:
“Ai, i cili do që të jetë i pari ndër ju, le të jetë shërbyes i të gjithëve”.
Butësia dhe përulësia e Ivan Rillskit ishin shembuj për shumë njerëz dhe megjithë jetën e tij të vetmuar, ai u bë i njohur ndër besimtarët ortodoksë dhe ndër përfaqësuesit e feve të tjera si mbrojtës para Zotit i të gjithë nevojtarëve. Njerëzit kërkonin vazhdimisht përkrahjen dhe këshillat e tij të urta. I njohur për pastërtinë dhe dashamirësinë e vet ai që si i gjallë ishte quajtur engjëll qiellor. Pasi vdiq në vitin 946 shenjtori u varros afër Manastirit të Rillës, të themeluar nga ai. Pasi mësoi për vdekjen e oshënarit mbreti Petër dha urdhër për transferimin e lipsanave të tij në qytetin Sredec – kryeqyteti i sotëm bullgar Sofja. Kur e hapën varrin nxënësit e tij panë një trup të pavdirë që lëshonte aroma të këndshme. I transferuan eshtrat më 19 tetor dhe që nga kjo ditë çdo vit kisha jonë shënon solemnisht nderin e tij.
Pikërisht atje letrari bizantin Georgi Skilica është kuruar në saje të ndihmës së Ivan Rillskit dhe shkroi historinë e jetës së tij, si dhe akoma shtatë kanune, kushtuar tij. Gjatë zgjedhës osmane në vitin 1469 murgjit nga Manastiri i Rillës kërkuan lejë nga sulltani Murad II dhe i kthyen lipsanat në Manastir. Edhe sot e kësaj dite ato i ndihmojnë të gjithë që shkojnë atje plotë besim:
Nganjëherë Zoti bën çudira para njerëzve me fe të ndryshme nga ajo e krishterë, para besimtarëve të krishterë dhe para ateistëve, që të mund t’i hapë sytë shpirtërorë – vuri në dukje Ati Sarëev dhe vazhdoi tregimin e vet. – Të shohin se një ose tjetër shenjtor ka një fuqi të madhe për shërim dhe çudira, që të mund të besojnë ata, të cilët ende nuk kanë besuar. Çudirat e tij nuk kanë pushuar edhe që kur ai ishte i gjallë, edhe pas vdekjes së tij.
Një prej mrekullive të mëdha të Shenjtorit ndodhi gjatë Luftës Ballkanike, në fund të vjeshtës së vitit 1912. Në rrugën drejt kryeqytetit osman, Stamboll, te Çatallxha, ai u duk gjatë betejës së rëndë me kalorësinë osmane, që t’u japë kurajë ushtarëve bullgarë. Për lutjet e Ivan Rillskit ka treguar edhe arkimandriti Kliment Rilec në librin “Çudirat e Shën Ivan Rillskit dhe të ikonës çudibërëse të Shën Mërisë “Osenovica” në Manastirin e Rillës“. Atje murgu i përshkruan me hollësi tregimet e të gjithëve që kanë marrë përkrahjen e Çudibërësit të Rillës.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva