Në Muzeun Historik Regjional të Stara Zagorës deri në fund të qershorit mund të shihet ekspozita “Me shpirt bullgar dhe mendim evropian”. Ajo i është kushtuar Vitit Evropian të Trashëgimisë Kulturore dhe Presidencës Bullgare të Këshillit të BE-së. Atje janë paraqitur personalitete të lindura ose të ardhura për të banuar në Stara Zagora, të cilët kanë punuar për ringjalljen jo vetëm të qytetit, por të tërë Bullgarisë së çliruar nga Perandoria Osmane. Të gjithë ata janë arsimuar në Evropë dhe pavarësisht se disa prej tyre kanë pasur oferta për karrierë shkencore dhe profesionale atje, janë kthyer në atdhe.
Ideja është që të ringjallen “emrat e njerëzve, të cilët e kanë rimëkëmbur Stara Zagorën. Gjatë Luftës Ruso-Turke qyteti u dogj dhe u shkatërrua nga ushtritë turke dhe pastaj duhej të rimëkëmbej“– na shpjegon kujdestarja Rajna Antonova dhe vazhdon:
“Ekspozita përfshin fundin e Rilindjes Bullgare – deri në mes të shekullit XX – kur këta bashkatdhetarët tanë, të cilët kanë mbaruar universitete prestigjioze evropiane, u vendosën në Stara Zagora dhe bënë shumë përpjekje për ndërtimin dhe shndërrimin e saj në një qytet modern evropian me kulturë, arsim, ekonomi dhe tregti të zhvilluar. Janë paraqitur një sërë personalitetesh, si Mitropoliti i parë i Stara Zagorës Metodi Kusev, i cili me shumë përpjekje krijoi parkun “Ajazmoto” – zemra e gjelbër e qytetit. Është i madh grupi i mësuesve, ndër të cilët është Anastasia Tosheva – mësuesja e parë bullgare me arsim të lartë pedagogjik, të mbaruar në Odes. Aleksandër Kozarov ka qenë një mësues aktiv dhe figurë publike, një enciklopedist i vërtetë, i cili ka zotëruar shtatë gjuhë, ka mbaruar arsim të lartë në tri dega të ndryshme në universitetet prestigjioze evropiane. Gjatë përgatitjes së ekspozitës zbuluam personalitete shumë interesante dhe pak të njohura, të cilat janë vendosur në qytet dhe kanë dhënë kontributin e tyre për zhvillimin e tij. Disa prej tyre janë dr. Kiro Vazov, vëllai i poetit popullor Ivan Vazov, dhe biri i tij dr. Ivan Vazov – doktor në degën e së drejtës, avokat, figurë aktive publike. I kemi kushtuar një vëmendje të posaçme një plejade të madhe piktorësh, inxhinierësh dhe arkitektësh të Stara Zagorës.”
Në Ekspozitë janë paraqitur edhe njerëz, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në zhvillimin e vendit tonë në përgjithësi. Për ta bashkëfolësja jonë thotë:
“Një sërë personalitetesh kanë lënë një gjurmë të thellë në zhvillimin e tërësishëm politik dhe kulturor të Bullgarisë. Akademiku Andrej Toshev ka mbaruar shkenca natyrore jashtë shtetit, për një kohë të caktuar ka punuar si mësues. Ai ka qenë shkencëtar, diplomat, politik. Në mes të viteve 30 të shekullit XX ka qenë Kryeministër bullgar. Dr. Ivan Garvanov ka specializuar në lëmin e fizikës, ka qenë doktorant edhe në Institutin Politeknik të Perandorit në Vjenë. Pavarësisht nga karriera e mirë që e priste jashtë shëtit, ai preferoi të kthehet në Bullgari. U bë një prej themeluesve të VMRO-së dhe madje pagoi për këtë me jetën e vet. Matematikani Ivan Sallabashev ka qenë një figurë e shquar publike, Ministër i Financave. Profesori Anton Mitov – Patriku i artit figurativ bullgar – mbaroi Akademinë e Arteve Figurative në Firence. Edhe ai preferoi të banojë dhe të punojë në atdhe. Me përpjekjet e tij dhe me ato të Ivan Mërkviçkës u hap Shkolla e Pikturimit në Sofje – Akademia e ardhshme e Arteve Figurative. Një piktor tjetër i njohur nga Stara Zagora është akademiku Dimitër Gjuxhenov, i cili ka rikrijuar në veprat e veta ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Ka dhe një sërë krijuesish letrarë si Geo Milev, akademiku Nikollaj Liliev, Kirill Hristov, disa muzikantë, si prima e operës Hristina Morfova dhe prof. Atanas Gërdev – fagotisti i parë me arsim të lartë në Bullgari. Boris Mitov është një nga biologët e parë bullgarë pas Çlirimit. Pjesa dërmuese e këtyre bullgarëve që kanë mbaruar arsimin e tyre në Evropë janë jo vetëm profesionistë të shkëlqyeshëm dhe politikanë të shquar, por edhe figura publike dhe bamirëse. Ata e vunë fillimin e jetës aktive kulturore në qytet pas Çlirimit, të iniciativave bamirëse, kujdeseshin për të varfrit, jetimët, u bënin dhurata kishave dhe manastireve.”
Ja se çfarë tha Rajna Antonova për mesazhin e ekspozitës së tanishme:
“Ai është koduar në titullin “Me shpirt bullgar dhe mendim evropian”. Nuk duhet ta harrojmë këtë shpirt, i cili luan një rol të rëndësishëm në ndërtimin e shtetit bullgar pas Çlirimit. Nuk është e rastit se e përgatitëm dhe realizuam ekspozitën në vitin, kur Bullgaria është kryetare e Këshillit të BE-së dhe e hapëm në vigjilje të Festës Kombëtare – 3 marsi. Deshëm që pikërisht ky shpirt bullgar të ruhet dhe të mbetet për brezat e ardhshëm.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: museum.starazagora.net