Është vështirë ta përshkruash jetën e njeriut vetëm me disa radhë. Kur të bëhet fjalë për një nga mediat më të vjetra në Bullgari, nuk mund ta grumbullosh historinë e saj të pasur brenda një reportazhi të shkurtër gazetaresk. Pas të gjitha 82 viteve të ekzistencës së vet Radio Bullgaria ka se çfarë të tregojë, madje vetëm për t’i nderuar personat e shumtë, që ia kanë kushtuar jetën e vet radios.
Para më shumë se dhjetë dekadave, gjatë vitit të largët 1936 Radio Sofja, trashëgimtare e Radios Amtare, të krijuar më 1930, filloi për herë të parë transmetime të radio-programeve për jashtë vendit. Pak pas kësaj u krijuan programet e para të medias për jashtë shtetit, sot të bashkuara me emrin “Radio Bullgaria”.
Siç më herët shënon radio-historiani i njohur prof. Veselin Dimitrov nga Fakulteti i Gazetarisë pranë Universitetit të Sofjes “Shën Klementi i Ohrit”:
“Duk parë se në botë tashmë transmetohen programe me valë të shkurtra, një grup teknikësh të entuziazmuar bullgarë morën vendim për të ndërtuar një radio-transmetues për valë të shkurtra me qëllim eksperimental dhe të transmetojnë një emision në gjuhën bullgare për jashtë shtetit. Së pari u ndëshkuan për këtë iniciativë të tyre, por më vonë u dekoruan për nismën e guximshme. Nga ana tjetër Bullgaria ndodhej në izolim ndërkombëtar për shkak të Traktatit të Neuilly-sur-Seine dhe udhëheqësit e shtetit – ministrat dhe deputetët, ishin të qartë që zëri bullgar duhej të dëgjohej në botë. Nuk është e rastit se programet e para me valë të shkurtra të “Radio Sofjes”, si e kishte emrin media në atë kohë, ishin në bullgarisht dhe transmetoheshin sa më larg, ku mund të dëgjoheshin. Kishte jehonë nga shumë vende, ku banonin emigrantë bullgarë, madje nga Australia.”
Transmetimet e rregullta të programeve nga Bullgaria për jashtë shtetit filluan në prill të vitit 1936, kurse nga data 24 maji – Dita e Shkrimit Sllav dhe e Kulturës Bullgare, filloi transmetimi i tyre sipas një grafiku të veçantë. Që nga viti 1936 filluan transmetimet në esperanto, kurse gjatë muajit maj të vitit tjetër startoi transmetimi i programeve në frëngjisht, gjermanisht, anglisht dhe italisht. Programi në gjuhën italiane për shembull përgatitej nga i riu Petër Uvaliev, i cili më vonë u bë një figurë legjendare në BBC dhe do të mbahet mend si një intelektual me interesa dhe dituri enciklopedike: “Kjo radio ishte e jashtëzakonshme. Kufijtë zhdukeshin dhe zërat tanë fluturonin. Ne ishim djem të rinj, por i flisnim një auditori jashtë shtetit. Derisa bota ndahej në armiq, valët e radios i tejkalonin vijat e urrejtjes.”
Sirak Skitnik – shkrimtar i njohur, piktor dhe një figurë e shquar publike u emërua si “kryeudhëheqës i radios” gjatë vitit 1935 – pesë muaj pasi Boris III dha urdhër, sipas të cilit transmetimi në valët e radios u bë pronë shtetërore. Gjatë udhëheqjes së tij Radioja Kombëtare Bullgare filloi të zhvillohej nga pikëpamja teknike dhe organizative si një nga institucionet më serioze kulturore në vend. Përveç lajmeve në programet në gjuhët e huaja, u përfshinë pasqyra të ngjarjeve kulturore në vend, biseda, madje përkthime të vargjeve të poetëve bullgarë. Qëllimi për ndërtimin e urave mes kulturave u imponua megjithë propagandat gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj. Përveç programeve në pesë gjuhët – frëngjishtja, anglishtja, gjermanishtja, italishtja dhe esperantoja, startuan programe në çekisht, hungarisht, rusisht, polonisht, serbokroatisht, greqisht dhe turqisht. Në fakt lajme në gjuhën turke lexoheshin që në fillim të viteve 40 të shekullit të kaluar, kurse verën e vitit 1944 u vu fillimi i programeve të specializuara për bashkatdhetarët tanë jashtë shtetit. Gjatë viteve 50 filluan programe në gjuhën spanjolle dhe në arabisht, kurse gjatë viteve 70 – në shqip dhe në portugalisht.
Në fillim të viteve 50 që si student, para se të kishte mbushur 20 vjeç, në “Programet në gjuhë të huaja” filloi punë Xhoko Rosiç, i cili më vonë u bë një prej aktorëve më të njohur bullgarë: “Isha përkthyes dhe spiker në programet për Jugosllavinë. Mjaftë kohë pas kësaj isha redaktor në redaksinë qendrore, e cila i përgatiste artikujt për të gjitha gjuhët në programet për jashtë shtetit. Prodhimi ynë ishte në fakt kurrizi i materialeve në redaksitë e tjera.”
Menjëherë pas ndryshimeve demokratike në vend, gjatë vitit 1990 drejtori i përgjithshëm i Radios Kombëtare Bullgare u bë Aleksandër Vlladkov, i cili filloi karrierën e vet në Redaksinë e Gjuhës Gjermane të Radio Bullgarisë:
“Puna, që ishte shumë interesante, më tërhoqi një herë e përgjithmonë në radio. Që të punosh në një program të tillë kërkohen shumë veti dhe përgatitje profesionale. Në eter, duke transmetuar për vendet jashtë shtetit, ti në fakt konkurron me radiostacionet vendase, praktikisht ti konkurron në terren të huaj. Domethënë nuk mjafton të jesh redaktor i mirë, spiker i mirë me zë të këndshëm, ka nevojë edhe për aftësi të tjera – zotërimi perfekt i gjuhës së huaj dhe njohja e vendit, për të cilin transmetohet programi përkatës, edhe në plan historik, edhe në plan historiko-kulturor.”
Në Radio Bullgarinë filloi rrugën e vet profesionale edhe Rajna Konstantinova, së pari si korrespondente në Redaksinë e Gjuhës Angleze, kurse pas kësaj gradualisht u ngrit në hierarki deri në postin e drejtoreshës së Radios Bullgarisë, zëvendësdrejtoreshë të Radios Kombëtare Bullgare, drejtoreshë të Departamentit “Radio” në Bashkimin Evropian për Radio dhe Televizion (EBU). Sot zonja Konstantinova është kryetare e Këshillit Publik të Radios Kombëtare Bullgare.
“Radio Bullgaria nuk është thjeshtë një prej mediave bullgare, ajo është një institucion unikal me standard të lartë gazetaresk. Radio Bullgaria është e rëndësishme për Bullgarinë. Për mua personalisht Radio Bullgaria nuk është vetëm vend pune, ku mund të përvetësosh një profesion. Ky është një vend ku janë grumbulluar karaktere të fuqishme dhe talente të mëdha, është një vend, ku bota takohet me Bullgarinë e vërtetë” – këto janë fjalë të Rajna Konstantinovës me rastin e përvjetorit të 70-të të Radio Bullgarisë gjatë vitit 2006.
Për shkak të interesit të dëgjuesve nga mbarë bota u krijua një redaksi e posaçme “Programe për radiostacionet e huaja”, i cili seleksiononte programe të veçanta tematike dhe muzikore, i incizonte në kompakt disqe dhe ua dërgonte radiostacioneve, shoqatave kulturore-iluministe në mbarë botën. Qëllimi ishte që zëri i Bullgarisë të dëgjohet në botë dhe sa më shumë njerëz në botë të mësojnë për vendin tonë në gjuhët e tyre amtare. Sigurisht që me prioritet ishin programet drejtuar bullgarëve përtej kufirit.
Sot Radio Bullgaria nuk ka eter dhe “dëgjohet” nëpërmjet faqeve të saj në internet. Informacioni që mund të lexoni paraqet ngjarjet më të rëndësishme, trashëgiminë tonë historike dhe kulturore, bullgarët interesantë që kanë kontribuuar për zhvillimin e shkencës, muzikës dhe sportit. Sot Radio Bullgaria përsëri flet me botën, por tashmë në 10 gjuhë dhe nëpërmjet fjalëve me shkrim.
Në shumicën e mesazheve që marrim sot vihet theksi te fakti se Radio Bullgaria e mirëmban lidhjen e gjallë me botën, duke treguar për festat, historinë dhe zakonet e Bullgarisë, për arritjet më të mëdha të kulturës muzikore bullgare. Për bashkatdhetarët tanë jashtë Radio Bullgaria është një grimcë e trojeve bullgare. “Bravo se e mbani gjallë identitetin e kombit tonë bullgar. Ju falënderojmë se e ruani të gjallë shpirtin e kombit tone, të Bullgarisë sonë” – lexojmë shpeshherë në mesazhet e miqve tanë.
“Gëzohem se Radio Bullgaria vazhdon së funksionuari – tha një bullgare nga Spanja me rastin e rrezikut nga mbyllja e disa prej redaksive në gjuhët e huaja këtë verë. – Tërë verën ne ishim me ju dhe ju përkrahnim, sepse kemi nevojë për ju!”
“Faleminderit, Radio Bullgaria, qe na informoni me çdo citim nëpërmjet faqes suaj. Por do ishte mire te hapeshin dhe kurse në gjuhën bullgare me qëllim që ta mësojnë edhe pasardhësit tanë. Jam minoritet bullgar ne Shqipëri. Do ishte një sugjerim nga ana ime, te organizohen sa me shume aktivitete nga Ambasada Bullgare ne Shqipëri” – Ky është sugjerimi i një miku të Radio Bullgarisë nga Shqipëria me origjinë bullgare.
“Për mua është kënaqësi e vërtetë t’i ndjekë temat historike të klubit “Historia” të Radio Bullgarisë në Facebook. Atje gjej shumë informacion dhe për mendimin tim ato përbëjnë një lidhje me Bullgarinë, me vendin, me të cilin u dashurova dhe ai është kaq i shtrenjtë për mua” – na shkroi një dëgjues nga Holanda, i cili e ndjek informacionin tonë në gjuhën angleze.
“Tërë jetën kam banuar në fshatin Brestovene. Kur fëmijët dhe nipërit e mi u nisën për kurbet në Gjermani dhe duhej të nisja edhe unë për tre muaj, që të kujdesem për stërmbesën time, vazhdova t’ju dëgjoja. Gjatë çdo një programi sikurse udhëtoja deri në fshatin tim të lindjes te fqinjët e mi, me të cilët i dëgjonim programet tuaja interesante. Sikurse nostalgjia nuk ishte kaq e madhe. Jam e lumtur se ju ekzistoni dhe mund të dëgjojë këngët e rinisë sime” – na shkroi një dëgjuese e emisioneve në gjuhën turke.
“Ju falënderoj për punën tuaj! Që prej pesë vitesh banoj në Bullgari dhe megjithëse e përvetësoj gjithnjë e më shumë gjuhën, vetëm në saje të Radio Bullgarisë arrita t’i kuptoja krejtësisht traditat dhe festat tuaja, si dhe lajmet aktuale!” – na shkroi një mik nga Kili.
“E ndjek rregullisht sajtin e Radio Bullgarisë dhe për mendimin tim modest dhjetë rubrikat e tij janë të shkëlqyeshme. Në saje të tyre ne marrim informacion shumë të vlershëm për ngjarje të ndryshme të rëndësishme. Sa për veten time, pothuaj gjithmonë e vizitoj rubrikën “Shoqëria”, si dhe “Ngjarje me adresë ballkanike”. Sigurisht që gjithmonë mund të presim diçka më shumë, siç është edhe në jetë!” – na shkroi një dëgjues nga Serbia.
Përpiloi: Darina Grigorova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova, Nataniela Vasileva
Foto: arkiv