Para dekadash bashkësia e krishtere bullgare në Stamboll të Turqisë ishte e madhe. Mirëpo gradualisht shumë njerëz prej saj emigruan jashtë Turqisë – disa u vendosën në Bullgari, disa të tjerë kërkuan bukën e gojës në SHBA-në, Kanadanë dhe Australinë. Sot të krishterët ortodoks në Stamboll janë mezi 450 veta. Atyre iu kushtua monografia “Bashkësia e padukshme: bullgarët e krishterë në Stamboll” me autor docenten Magdalena Ellçinova, shefe e Departamentit “Antropologji” në Universitetin e Ri Bullgar. Libri prezanton rezultatet e një studimi antropologjik të kësaj bashkësie. Shqzrtohet se si gjatë kohës ruhet përkatësia etnike e anëtarëve të saj dhe si ata gjejnë vendin e tyre në jetën e megapolisit.
“Pjesa dërmuese prej të këtyre njerëzve janë brez i dytë bullgarësh lindur në Stamboll – tregon docentja Ellçinova. – Paraardhësit e shumicës prej tyre u vendosën në qytet në fillim të shekullit XX pas ngjarjeve historike si kryengritja e Ilindenit, Lufta e Dytë Ballkanike e vitit 1913, Lufta e Parë Botërore. Ato periudha karakterizohen me një fluks të madh të shpërngulurve edhe drejt Stambollit. Më shpesh pikënisja e këtyre njerëzve ishte rajoni i njohur si Maqedonia e Egjeut, i cili sot ndodhet në kufijtë e Greqisë. Një përqindje e vogël prej këtyre njerëzve janë pasardhës të të shpërngulurve nga Trakia e Edrenesë, ku deri në vitet 20-të të shekullit XX kishte një popullsi kompakte bullgare.”
Pyetjes si të krishterët bullgarë arritën të ruajnë identitetin e tyre etnik dhe fetar, docentja Ellçinova i përgjigjet sa vijon:
“Pikërisht kjo më tërhoqi interesin, sepse gjatë viteve kjo bashkësi mbante kontakte të rralla me Bullgarinë. Sidomos në kohën e regjimit komunist tek ne, sepse atëherë me Turqinë qëndruam në të dy anët e barrierës ideologjike. Megjithë lidhjet e kufizuara me Bullgarinë ata njerëz vetë caktoheshin si bullgarë dhe të krishterë ortodoks. Sipas meje, lidhja më e fortë me Bullgarinë ishte feja, por jo vetëm si besim ose rit fetar, por si institucion dhe trashëgimi. Sipas ligjeve në Turqi, ata themeluan një fondacion, i cili kujdesej për pronën e trashëguar nga Ekzarkia e dikurshme Bullgare, sëlia e së cilës ishte në Stamboll – shtëpia e ekzarkisë, kisha “Shën Stefani” e njohur si Kisha e Hekurt, varreza bullgare e kështu me radhë. Kujdesi për ato vende ishte shkak, që ata të kontaktojnë me autoritetet vendore në Stamboll për të marrë mjete për mirëmbajtjen e monumenteve kulturor-historike. Gjatë 20 viteve të fundit bullgarët në Samboll mbajnë lidhje dhe kontakte edhe me shtetin bullgar, i cili gjithashtu u jap atyre ndihmë në këtë drejtim.”
Përkatësia e tyre ndaj kishës ndihmon që ata të vetë caktohen si bullgarë etnikë dhe të mbrojnë identitetin. Një hallkë lidhëse është gjuha bullgare, megjithëqë funksioni i saj gradualisht u dobësua, tashmë vetëm disa prej tyre flasin gjuhën amtare, për më tepër, vetëm në familje. Një vend i rëndësishëm në jetën e bullgarëve në Stamboll zënë edhe traditat e lidhura me festat kishtare dhe popullore si dita e Shën Gjergjit, Pashka, Krishtlindja etj.
Disa janë shkaqet, për të cilët docentja Ellçinova e cakton bullgarët ortodoks në Stamboll si “një bashkësi e padushme”:
“Në radhë të parë ata janë shumë pak dhe humben në sfondin e këtij qyteti shumëmilionësh. Në radhë të dytë ata janë një popullsi e integruar në mjedisin e këtij qyteti. Ata i përkasin shumicës së klasës së mesme. Mirëpo, për fat të keq ata mbeten të panjohur dhe të padukshëm si për shoqërinë bullgare, ashtu edhe për të turke. Në Bullgari vitet e fundit botohen informacione sporadike në mediat. Në Turqi nuk ka pakicë bullgare të njohur zyrtarisht. Ata njihen si bashkësi bullgare vetëm nga fqinjët në lagjet ku banojnë dhe nga autoritetet qytetare, me të cilët bashkëpunojnë.”
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova