Nga 19 deri në 27 qershor në Kretë është duke u zhvilluar Tubim i Kishave Ortodokse. Tubim të tillë nuk ka pasur nga një mijë vjet. Kishat ruse, bullgare, gjeorgjiane dhe antiohiane nuk do të jenë të pranishme në aktivitet. Kisha Ortodokse Bullgare, e cila ishte e para që refuzoi për të mare pjesë, e argumentoi vendimin e vet me një sërë aspektesh shqetësuese në dokumentet para tubimit, në rregulloren për zhvillimin e votimit në Tubim, si dhe në organizatën tij. Refuzimi shtroi pyetjen “A do të vendosen sanksione, përfshi këtu dhe skizmë?”
Me rastin e kësaj hipoteze në një intervistë për Radion Kombëtare Bullgare teologu i njohur Diljan Nikollçev, pedagog në Fakultetin e Teologjisë pranë Universitetit të Sofjes “Shën Klementi i Ohrit”, bëri këtë koment:
“Që të ketë skizmë në kuptimin formal të fjalës duhet të imponohet sanksioni përkatës, ndëshkimi përkatës. Nëse do të arrihet në këtë ndëshkim gjatë tubimit dhe nëse do të imponojnë një sanksion të tillë, këtë do ta kuptojmë së shpejti. Mirëpo, në të drejtën ortodokse ndëshkimet janë pozitive. Së pari ka vërejtje zyrtare, pas kësaj ka qortim etj. Mund të arrihet edhe deri në skizmë, por ka pak të ngjarë që kjo të ndodhë.”
Mirëpo, sipas Diljan Nikollçevit ka shenja se Kisha Ortodokse Bullgare është në krizë, më tepër për shkak të krizave politike, gjë që nuk njihet nga të gjithë.
Efekti mbi kishën tonë nga refuzimi i saj për të marrë pjesë në Tubimin në Kretë “është vetë-izolimi në vazhdim dhe refuzimi i pjesëmarrjes në tubime në plan ekumenik. Ka rregulla, të cilat kërkojnë që peshkopët të marrin pjesë në tubime të tilla dhe përjashtimi i vetëm janë rastet e sëmundjes.”
Teologu komentoi edhe pohimet se mbi vendimin e Kishës Ortodokse Bullgare për të mos marrë pjesë në Tubim ka ndikuar Kisha Ortodokse Ruse. Nikollçev është i mendimit se “kjo çështje nuk është vetëm kishtare dhe duhet të trajtohet thellësisht, duke pasur parasysh politikën agresive ruse gjatë disa viteve të fundit si në Evropë, ashtu dhe në plan botëror. Qortimi nuk duhet të jetë direkt ndaj Kishës Ortodokse Ruse, por më tepër ndaj gjeopolitikës ruse. Në përgjithësi shteti rus në gjeopolitikën e tij përpiqet të pushtojë territore në çdo një drejtim – ekonomik, politik, kulturor – dhe ne jemi dëshmitarë se sulmi vazhdon edhe në drejtim të kishës.”
Përpiloi: Stoimen Pavllov
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva