Simitja e Pashkës, Kukulla e Pashkës, Gërshet ...të shumta janë emrat e bukëve të ritit, që përgatiteshin në të kaluarën për festën më të madhe të krishtere – Pashkën e Madhe.
Përgatitja më të madhe për Kremten e Pashkës së Madhe kryhet Të Enjten e Madhe. Herët në mëngjes gratë ngjyrosin vezët. “Amviset u dhurojnë vashat dhe nuset nga një vezë e kuqe dhe secila e mban me vete deri Ditën e Pashkës së Madhe, përderisa nuk do të dëgjojë fjalët “Krishti u ngjall!” Mezi atëherë ajo mund të trokasë këtë vezë” – shkruan Dimitër Marinovi. Një nga ritet më thelbësore, që kryhet para brumosjes së bukëve të ritit, njihet si rinovimi i tharmit. Sipas besimeve popullore, shtëpia nuk duhet të mbetet pa tharm, sepse nuk do të ketë bereqet. Ja përse çdo amvise kujdesej që në shtëpi gjithnjë të ketë tharm. Me të brumoseshin si bukët e zakonshëm, ashtu edhe ato të riteve. Të Enjten e Madhe tharmi rinovohej. Ideja ishte, që gjatë tërë vitit, ky tharm të mirëmbahet. Prandaj ndaj këtij tharmi tregohej një kujdes i veçantë. Në të kaluarën riti për rinovimin e tharmit shoqërohej me këngë speciale. Gruaja më e moshuar përzinte pak brumë duke vënë në të barna mjekuese. Kështu i përgatitur tharmi mbulohej për një kohë të caktuar me një copë pëlhure të re.
Emrat e bukëve të Pashkës janë të shumta dhe ngandonjëherë sugjerojnë formën e tyre. Disa prej emrave hasen edhe për bukët u kushtuara festave të tjera. Mirëpo, atë që e dallon bukën e Pashkës nga bukët e tjera festive janë vezët e rregulluara sipër. Zakonisht ato vihen në mesë të zbukurimeve të ndryshme të punuara prej brumi. Kukulla e Pashkës gatuhet nga një copë brumi i mbështjell disa herë me ana të lakuara përbrenda. Ky lloj buke është për nuset e reja. Për kumbarët gatuhet një bukë tjetër për Pashkët. Ajo është e rrumbullakët me katër ose më shumë vezë të kuqe përmbi. Ndër bukët e ritit i kushtuara Pashkës janë edhe të ashtuquajturat kulaçe të kumbarës ose bullgarisht kumiçini kolaçi. Ato buka i jepen të së ashtuquajturës “kumica” – një person i ritit pranveror të vashave të quajtur bullgarisht “kumiçene”. Ky rit lidhet me parathëniet dhe namatisjet para martesës së vajzave.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Fotografi: BGNES