Prej shekujsh Bullgaria prodhon vaj trëndafili
Снимка: BGNES
Prej shekujsh në Bullgari kultivohet trëndafili më i vlefshëm vajdhënës – ai i llojit damascena. Me Turqinë e ndajmë tregun botëror të vajit të trëndafilit që është përbërës i çdo parfumi të njohur. Vendin e tretë në këtë treg e zë Maroku, por sasitë e tij të prodhimit nuk janë të konsiderueshme. Sipas ekspertëve Bullgaria është numër një për sa i përket cilësisë, vaji i trëndafilit në vend është i patejkalueshëm. E reja është që Bullgaria është ndër vendet prijëse të eksportit të vajit të lavandos.
“Pas Francës, ne jemi prodhuesi i dytë i vajit të lavandos në botë, pohon Dimitër Stefanov, pronar i njërës së firmave më të mëdha bullgare që prodhojnë vaj trëndafili dhe lavandoje. Kohën e fundit Kina doli nga tregu botëror i lavandos, ku e kishte zënë vendin me efektin e dumpingut. Atëherë në Francë kishte shumë kërkim. Kështu na u hap rruga edhe neve, prodhuesve bullgarë, disa prej të cilëve ishin larguar nga biznesi me lavandon.”
Sot një kilogram vaj lavandoje kushton 1000 euro, ndërsa një kilogram vaj trëndafili shitet për 5000 euro. Tregu nuk u prek nga kriza. Jo rastësisht vaji i trëndafilit konsiderohet mall pa afat kohor siç janë metalet dhe gurët e çmuar etj. Kjo gjendje e përshtatshme e tregut e favorizon prodhimin e vajrave eterike në Bullgari.
© Foto: Maria Dimitrova
Toka, ku rriten trëndafili vajdhënës dhe lavanoja biologjike, trajtohet me kompost organik.
Gjithnjë e më shumë prodhues të vajit të trëndafilit dhe lavandos në vend interesohen për bujqësinë organike. Firma e zotit Stefanov përdor metodën e Rudolf Shtajnerit drejtuar praktikave bujqësore biodinamike. Faktikisht me çfarë ka të bëjë kjo metodë e shekullit të kaluar?
“Përdoret lidhja e energjisë midis elementeve të ndryshme të natyrës: bimë-njeri-diell-pozicion të planetëve. Gjithçka kryhet sipas kalendarit të yjeve, i cili është i veçantë për veprimtaritë bujqësore”, sqaron Dimitër Stefanov. Ai kultivon trëndafil të llojit damascena që rritet në 300 hektarë dhe katër lloje lavandoje, të shtrira në 160 hektarë. Këto janë tokë të certifikuara bujqësore në rajonin e qyteteve Karlovo dhe Kazanlëk, në jug të malit Ballkan, ku gjendet Lugina e trëndafilave.
© Foto: Maria Dimitrova
Shumë vajra bullgare mbajnë shenjën “bio”
“E mbyllëm ciklin lëndë-mall-eksport, thotë z. Stefanov. – Kemi fidanishte, ku prodhojmë fidanë organike për bimët që kultivojmë. Me bujqësi biologjike merremi që prej 2003-ës dhe ishin ndër të parët në këtë degë. Shumica e të mbjellave tona janë pranë fshatit Manolovo dhe për momentin janë në proces certifikimi që të na lejojnë të zhvillojmë bujqësi biodinamike. Rëndësi ka sqarimi që për këtë lloj bujqësie përdoren preparate biodinamike suplementare që vetë i prodhojmë.”
Në fidanishtet e trëndafilave prodhohen lule të thata, ujë trëndafili, vaj trëndafili që përdoren kryesisht për produkte kozmetike. Gjithçka është prodhim biologjik, pjesë e madhe të të cilit eksportohet në tregun e industrisë kozmetike dhe të parfumeve. Në Japoni prodhimet e trëndafilave blihen si erëza.
“Patjetër më shumë eksportojmë për vendet më të zhvilluara ekonomikisht, thotë Dimitër Stefanov. – Franca, Gjermania dhe Anglia janë të trija konsumatoret më të mëdha të produkteve tona. Kemi zënë tregun e SHBA-së, Japonisë dhe atë të Australisë. Interesantja është që edhe Kina po bëhet konsumator të rëndësishëm të vajrave eterike biologjike.”
© Foto: Maria Dimitrova
Agronomët bullgarë prodhojnë preparate biodinamike për stimulimin e bimëve.
Gjatë një vizite në fshatin Manolovo, Bullgari Jugore, patëm mundësinë ta vërejmë prodhimin e preparateve biodinamike për ushqimin e tokës dhe stimulimin e bimëve. Sikur ishim futur në një rit të lashtë magjik. Me pleh organik mbusheshin shumë brirë të lopëve të vdekura sipas udhëzimeve të kalendarit të yjeve. Pastaj këta brirë futeshin nën tokë, ku duhet të rrinë gjashtë muaj. Kështu prodhohen dy lloje të preparateve biodinamike, të cilat përdoren për stimulimin e bimëve.
“Njëri nga preparatet ndikon mbi rrënjat e bimëve gjatë periudhës së dimrit, ndërsa tjetri – mbi lulëzimin dhe aftësitë reproduktive gjatë verës, sqaron agronomja Mimi Najdenova. – Plehu i lopës është shumë i rëndësishëm. Në përgjithësi lopa është një kafshë shumë e veçantë, sepse e ka mundësinë të përvetëson energjinë e Kozmosit.”
Përgatiti në shqip: Anna Kapitanova
По публикацията работи: Maria Dimitrova
Последвайте ни и в
Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!