Eмисия новини
от 12.00 часа
Размер на шрифта
Българско национално радио © 2024 Всички права са запазени

Murgjit bullgarë në Malin e Shenjtë gjatë Mesjetës

Gjiri i portit të manastirit “Zograf”, piktor – Canko Lavrenov
Снимка: Архив

Në fund të gushtit në Sofje u mbajt Kongresi i 22-të ndërkombëtar i studimeve bizantine, i organizuar nga Asociacioni i bizantologëve dhe medievistëve në Bullgari. Tema kryesore e forumit ishte “Bizanti pa kufij”. Në kumtesa dhe diskutime specialistë nga vende të ndryshme shqyrtonin vendin dhe rolin e perandorisë mijëvjeçare të Bizantit dhe botës mesjetare. Një nga temat e programit të kongresit u ishte kushtuar studimeve të murgjve ortodoksë në gadishullin e Athosit gjatë Mesjetës. Athosi është pjesë e Greqisë së sotme, por historia e tij është lidhur si me të kaluarën, ashtu edhe me të sotmen e ortodoksisë bullgare. Sot në gadishullin malor ka 20 manastire ortodokse. Ndër to është manastiri bullgar “Shën Gjergji Zograf”. Për të na tregon prof. Kiril Pavlikjanov, pedagog në Universitetin e Sofjes dhe specialist i historisë së Bizantit, i gjuhës mesjetare greke dhe i letërsisë bizantine.

Kisha e manastirit “Zograf”, piktor – Canko Lavrenov

“Manastiri bullgar “Zograf” përmendet për herë të parë gjatë vitit 980 në një dokument pronësie të një manastiri tjetër – “Shën Apostujt” në Ksirokastro. Nuk e dimë se çfarë ishte atëherë gjendja e vëllazërisë, nëse kishte bullgarë apo jo – thotë prof. Pavlikjanov. – Nënshkrimi i parë bullgar i një igumeni të “Zografit” daton nga viti 1162 dhe u zbulua në një dokument të manastirit rus në Athos “Shën Pantelejmoni”. Nënshkrimi pa dyshim është në gjuhën e vjetër bullgare, me shenjat karakteristike të shkronjave. Për këtë shkak mund të pohojmë se rreth vitit 1162 drejtimi i manastirit “Zograf” ishte bullgar. Si ishte para kësaj? Kemi disa dëshmi të padrejtpërdrejta, të cilat rrjedhin nga disa dokumente të hershme të manastirit. Para disa muaj u botua libri im për arkivin e hershëm të manastirit “Zograf”, në të cilin përfshiva 12 nga aktet më të hershme. Në to nuk thuhet asgjë për murgjit, por përshkruhen tokat që ishin blerë dhe shitur. Në emërtimet e tokave përsëritet një toponim tipik sllav – “Çernijat vir” (burimi i zi). E rëndësishmja në këtë rast është se fjala bullgare “vir” (burim) përmendet disa herë nga viti 980 deri në vitin 1169 në dokumente të ndryshme greke nga manastiri “Zograf”, e shoqëruar nga mbiemra të ndryshme greke. Kjo do të thotë se fjala bullgare “vir” përdorej në tokat e manastirit të sotëm “Zograf” qysh në fund të shekullit X. Toponimi “Çernijat vir” ekziston deri më sot.”

Sipas prof. Pavlikjanovit në arkivat e hershëm të manastirit “Zograf” ka dy dokumente të perandorit bizantin Mihail VIII Paleolog (shekulli XIII), të cilat pohojnë një dhuratë për manastirin. Në një nga këto dokumente perandori e quajti “manastiri bullgar”. Kiril Pavlikjanov jep dhe shembuj të therë për praninë bullgare në Malin e Shenjtë gjatë Mesjetës. Në disa dokumente greke të manastirit “Shën Pantelejmoni” përmendet “manastiri i Zheljanit”. Ky manastir ekzistonte në mes të shekullit XI. Me sa duket u themelua para vitit 1030 dhe më vonë u aderua me manastirin “Shën Pantelejmoni”. Prof. Pavlikjanov është i mendimit se njeriu, i cili mbante emrin Zheljan, ishte nga grupi gjuhësor bullgar. Dëshmi të tjera për praninë bullgare në Athos rrjedhin nga jetëshkrimi i Shën Së Premtes së Epivatit, i cili u shkrua nga patriku bullgar Evtimij. Në jetëshkrimin e shenjtores autori përmend se në mes të shekullit XIV ka parë fjalime me firmosje të artë të mbretit bullgar Joan-Asen II në manastirin e madh të Shën Athanasit të Athosit. Sipas Kiril Pavlikjanovit më herët është dëshmuar prania ruse në Athos – para vitit 1142.

“Pastaj vjen prania bullgare, e cila vërtetohet me nënshkrimin e igumenit bullgar të manastirit “Zograf” – murgu Simeon, gjatë vitit 1162. 30 vjet më pas erdhën murgjit serbë. Në të gjitha këto raste dua të theksoj se nuk ekzistonte aspak ndarje midis bullgarëve, serbëve dhe rusëve. Të gjithë ata e konsideronin veten para së gjithësh ortodoksë. Fakti se kush çfarë gjuhë fliste kishte një rëndësi të vogël. Dhe në qoftë se gjuha gjatë shekullit XIX u bë vija e ndarjes midis sllavëve ballkanikë, në Mesjetë elementi bashkues ishte ortodoksia.”

Manastiri “Zograf”, piktor – Canko Lavrenov

Për këtë shkak nuk është e mundur të caktohet numri i murgjve bullgarë në Athos gjatë Mesjetës. Kiril Pavlikjanov thotë se në çdo arkiv manastiri duhet të ruhen listat e murgjve. Fatkeqësisht dokumente të tilla nga arkivat e Malit të Shenjtë janë ruajtur nga fundi i shekullit XVII e këtej. Por madje të ishin ruajtur lista më të hershme, nuk do të kuptonim më shumë, sepse kombësia dhe gjuha nuk ishin elementet më të rëndësishme në to. Por prapë së prapi murgjit bullgarë janë një pjesë e pandarë e pranisë ortodokse në gadishullin e Athosit gjatë Mesjetës.

“Kontributi i murgjve të Athosit është se ruajtën të vetmit arkiva të plotë mesjetarë në Ballkan – bizantinë, bullgarë, serbë etj. Jo rrallë manastiret e Athosit ishin sulmuar, por megjithatë në to mbijetuan përmbledhje të vlefshme mesjetare dokumentesh. Dhe prandaj duhet t’u jemi mirënjohës murgjve, sepse pa përpjekjet e tyre, kjo pasuri nuk do të mbijetonte deri më sot” – përgjithëson prof. Pavlikjanov.

Përgatiti në shqip: Ekaterina Tarpomanova

Fotografitë janë nga ekspozita në Galerinë e artit në Sofje “Mesazhi i shekujve. Kisha dhe manastire në Ballkan”. Ekspozita ishte një pjesë e programit shoqërues të Kongresit të studimeve bizantine.

Foto: Veneta Pavlova 

По публикацията работи: Lina Ivanova
Новините на БНР – във Facebook, Instagram, Viber, YouTube и Telegram.


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Горещи теми

Войната в Украйна