Eмисия новини
от 15.00 часа
Размер на шрифта
Българско национално радио © 2024 Всички права са запазени

Gabarevo – fshati i 100 gypave

Снимка: Veneta Nikollova
Disa vende ju pëlqejnë në mënyrë të jashtëzakonshme, ndërsa kur jeni larguar nga to, për shumë kohë ju mbeten në mendje dhe ju tërheqin vëmendjen drejt vetes. Një vend i tillë është fshati Gabarevo, Bullgari Jugore. Ndryshe nga shumë vendbanime të tjera bullgare, në të nuk gjenden arkitektura e Rilindjes, hotelet familjare dhe lokalet komode, as dyqane për suvenire ose atraksione turistike. Por fshati Gabarevo ofron mundësinë që të çlodheni njëkohësisht në rrafshinë, në mal, pranë lumit dhe pranë liqenit artificial, pa ju shqetësuar turmat e turistëve, të cilët çdo verë pushtojnë vendpushimet tona.
Kur të shihni fshatin, nuk mundeni ta kaloni pa ndaluar. Duke udhëtuar nëpër malet Ballkan, në rrugën që lidh Sofjen me Detin e Zi, do të kaloni pranë luginës me të mbjella trëndafilash vajdhënës, fusha plot livanda dhe pemë. Pak kohë para se t’i afroheni hyrjes së qytetit turistik Pavel Banja, duhet bërë kthesë djathtas dhe do të gjendeni në qendrën e Gabarevos. Atje ndodhen sheshi i fshatit, godina e komunës, kulla e sahatit, vatra e kulturës, kolonat e të cilës janë mbetur që nga koha romake, gjithashtu edhe posta e shkolla e madhe. Sikur je në një qytet! “Banorët e fshatit gjithmonë kanë pasur shumë sedër dhe i kanë parë qytetarët e Pavel Banjës me një lloj ironie. Arsyeja është që në fillim të shekullit të XX-të fshati ka qenë një vatër i vërtetë i kulturës, që ka tërhequr si magnet intelektualë dhe aktivistë shoqërorë, ndërsa banorët janë diktuar modën në tërë rrethin.” – rrëfen me entuziazëm znj. Totka Biçeva – përgjegjëse e muzeut në vend. Dikur në fshatin Gabarevo janë zhvilluar spektakle madhështore teatrale, karnavale dhe shumë festime të tjera, përgatitja e të cilave është bërë disa muaj më parë. Sot jeta kulturore përqendrohet në Shtëpinë e Xhananit, e cila është kthyer në një muze të Vasil Levskit – figura më e shquar ndër organizatorët e lëvizjes nacionalçlirimtare bullgare kundër Perandorisë Osmane.



“Këtu, në këtë shtëpi gjatë vitit 1869 Vasil Levski ka krijuar komitetin revolucionar të Gabarevos – tregon znj. Biçeva. – Para biblës, kamave dhe pisqollave rreth 36 revolucionarë kanë dhënë besë të luftojnë për lirinë e Bullgarisë. Pastaj shtëpia u bë muze etnografik, i cili sot vizitohet gjatë tërë vitit. Në të poetë, shkrimtarë dhe piktorë nga bashkia bëjnë takimet e tyre. Organizohen ekspozita dhe lexime të letërsisë. D.m.th. vendi ende është me shpirt të gjallë. Sa i përket emrit të Gabarevos, ai nuk është i rastit. Vjen nga druri shkozë (në bullgarisht “gabër”). Përpara fshati ndodhej afër maleve Ballkan në një vend plot me shkoza.”



Gabarevoja dihet edhe si fshati me 100 gypat. Këtu në çdo hap ka çezmë, prej së cilës rrjedh ujë e kulluar. Në qendrën e fshatit gjendet Kisha e Shën Gjergjit. Gjatë vitit 1877 ajo është djegur nga pushtuesit osmanë, por më vonë banorët e kanë rindërtuar përsëri. Njëra prej atraksioneve vendase është lokali i fshatit me një lulishte nën hijen e pemëve, ku mund të provoni supë me mish qengji, mushkëri pule dhe gjella të tjera të shijshme me çmime të favorshme. Turistët mund të vendosen në hotelin komod pranë lokalit. Afër fshatit rrjedh lumi Tundxha. Pas një përmbytjeje të madhe ura mbi lumin u rrëzua dhe sot për t’u kaluar në bregun tjetër, duhet hipur në një dru, i cili është vendosur horizontalisht. Përballë shihen tatëpjetat e malit Sredna gora, rrugicat mes pyllit, të cilat çojnë në lagje të vjetra të braktisura.


Fshati Gabarevo gjendet në qendrën e Luginës së trëndafilave. Në fund të muajit maj çelin lulet dhe mbi të mbjella rri pezull aroma e këndshme e trëndafilave. Gjatë muajit qershor fillon sezoni i mbledhjes së qershive. Atëherë në fshat bëhet festa e qershive, e shoqëruar nga shumë këngë e valle, ripërtëritje të traditave të vjetra dhe nga fluturime me deltaplane. Nga pjesët më të larta të malit vërehet një pamje e mrekullueshme drejt liqenit artificial Koprinka. Në fundin e tij ndodhen mbeturinat e qytetit mitologjik trak Sevtopolis.


Për këtë vend të natyrës qarkullojnë shumë gojëdhëna. Deri më sot pëshpëritet se këtu ka jetuar në harresë princesha e fundit ruse Anastasia Romanova, e cila është paraqitur me emrin e konteshës Eleonora Gryber. Të moshuarit nga Gabarevoja ende kujtojnë këtë zonjë misterioze, e cila u vendos në fshat në fillim të shekullit të XX-të. Aristokratja e re Eleonora zotëronte disa gjuhë të huaja, i binte pianos, përdorte opium dhe mes qafës dhe faqes së djathtë kishte një shenjë, të bërë nga arma e zjarrit. Zonja ka vdekur më 1954 dhe është varrosur në varrezën e fshatit, duke përcjellë edhe sekretin e vet.

Përgatiti në shqip: Anna Kapitanova

По публикацията работи: Veneta Nikollova
Новините на БНР – във Facebook, Instagram, Viber, YouTube и Telegram.


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Горещи теми

Войната в Украйна

Най-четени