Polja Stançeva zbulon historinë e emigrantëve bullgarë në Argjentinë me një film
Mësoni pse bullgarët e rinj në Argjentinë nuk e flasin gjuhën tonë, me çfarë merreshin emigrantët e parë dhe si jetojnë pasardhësit e tyre sot

Shoqëria bullgare di shumë pak për emigrimin e bullgarëve në Argjentinë. Historia interesante e rrugës së bashkatdhetarëve tanë drejt këtij vendi të Amerikës së Jugut dhe fijet me të cilat ata janë të lidhur me rrënjët e tyre etnike mijëra kilometra larg Bullgarisë rezulton të jetë pjesë e legjendës familjare të gazetares Polja Stançeva. E gjitha fillon si në një film:
"Një ditë zbulova 12 vjet nga jeta e gjyshit tim në një valixhe të vjetër. Kërkova nëpër foto dhe ditarë dhe zbulova se ai kishte qenë në Argjentinë. Dhe historia e emigrimit tonë në këtë vend të largët është jashtëzakonisht interesante" - tregon Polja Stançeva, e cila është regjisorja e filmit "Dhe ata arritën në fundin e botës".
"Bullgarët shkuan në fillim të shekullit të kaluar, kur Argjentina po i popullonte territoret e saj të shkreta me emigrantë nga Evropa dhe krijuan disa komunitete të mëdha - në rajonin tropikal Çako, në Komodoro Rivadavia (Pllaja Patagoniane, ku ata punonin në platformat e naftës) dhe Beriso (pranë Buenos Airesit, ku ndodhen thertoret e mëdha të mishit). Këto janë zonat ku ata u vendosën dhe punuan. Edhe sot e kësaj dite, këto komunitete ekzistojnë dhe njerëzit mbajnë një identitet bullgar, edhe pse nuk flasin më bullgarisht.”
Polja Stançeva e përshkruan mundësinë për të filmuar në ndërtesat ku ndodheshin fabrikat e mishit të viçit si një shans të jashtëzakonshëm. Edhe pse të braktisura këto ditë, ato janë tërheqëse për kamerat me grafitet e tyre të shumta. Pranë tyre janë edhe 14 shtëpi prej llamarine që strehonin emigrantë që vinin nga Evropa - kryesisht italianë dhe spanjollë, por edhe shumë bullgarë. “Burri që na tregonte historinë kujtonte se si fëmijë i përshëndeste njerëzit në dhjetë gjuhë në mëngjes. Këto ishin vërtet bashkësi të mëdha emigrantësh dhe gradualisht secila prej tyre filloi të krijonte shoqëri që ruanin identitetin e kombeve të veçanta. Një shoqëri e tillë është ajo bullgare në Beriso”, shpjegon Polja Stançeva për Radio Bullgarinë:
"Është interesante që ata këndojnë në bullgarisht dhe kërcejnë bukur, por nuk e flasin gjuhën tonë. Ne gjithashtu e kuptuam pse nuk e flasin atë - disa nga emigrantët u larguan për arsye politike, ata ndoshta ishin pjesëmarrës në Kryengritjen e Shtatorit të vitit 1923, ata kishin dënime me vdekje këtu, dhe sipas njërit prej ligjeve në Argjentinë, ata që nuk ishin besnikë politikisht mund të ekstradoheshin. Prandaj, ata preferuan ta mbanin të fshehtë origjinën e tyre dhe nuk u mësonin fëmijëve të tyre gjuhën bullgare. Është e vështirë të ruhet një gjuhë për tre ose katër breza, përveç nëse nëna është bullgare. Dhe atje të fundit që flasin bullgarisht sot janë 80-90 vjeç."
Duke u nisur nga arkivat dhe duke kërkuar gjurmët e gjyshit të saj në Argjentinë, Polja Stançeva zbulon se disa nga shoqatat e para bullgare në vendin e largët u mbyllën në vitet 40-të për arsye politike. Shoqata të reja u krijuan në mesin e viteve 50-të, por pothuajse asnjë dokumentacion nuk është ruajtur. Polja Stançeva nuk gjeti asnjë informacion në lidhje me të afërmin e saj, por arriti të takonte shumë njerëz interesantë, disa prej të cilëve jetojnë në provincën Çako:
"Ajo që është unike për këtë komunitet është se krijuesit e saj janë njerëzit që prenë xhunglën. Në fillim të shekullit të XX-të, xhungla si territor nuk përfshihej në kufijtë e Argjentinës. Bullgarët ishin ata që punuan për ta prerë atë, sepse të gjithë ata që mbërritën morën një copë të madhe toke nga qeveria argjentinase për t'u vendosur. Por atyre iu desh ta pastronin fushën me duart e veta dhe, më besoni, nuk ishte e lehtë. Pema Quebracho(lisi i fortë i Amerikës së Jugut) rritet atje. Emri i saj në spanjisht do të thotë "sëpatë thyen" - e rëndë si plumbi dhe e fortë si çeliku.Imagjinoni forcën që u desh për t'i prerë ato, por ata ia aneksuan territorin e Çakos Argjentinës. Po përpiqemi t’i tregojmë të gjitha këto në film."
Historia kinematografike rikrijon edhe një takim me një gauço të vërtetë bullgar në Argjentinë, si dhe mënyrën se si bullgarët në Komodoro Rivadavia mirëpresin anijen kërkimore "Shën Kirill dhe Metodij", me të cilën shkencëtarët bullgarë po udhëtojnë për në Antarktidë. “Për komunitetin, ishte një festë e vërtetë, ata kishin organizuar një koncert të jashtëzakonshëm”, kujton Polja Stançeva dhe vazhdon me një histori tjetër:
"Po tregoj një histori për një Trio "Orfeu", pjesë e Shoqatës Bullgare "Kirill dhe Metodij" - dy vajza dhe një djalë që luajnë gajde dhe tambura dhe këndojnë jashtëzakonisht bukur në bullgarisht. Djali nuk ka rrënjë bullgare, por është aq i pasionuar pas muzikës bullgare saqë këndon "Doli Deljo kaçak" me një emocion të tillë që të prek - nuk mund ta imagjinoni që një argjentinas mund ta ndiejë një këngë nga Rodopet në këtë mënyrë. Dhe dua të bëj një pyetje shumë të rëndësishme - çfarë po bëjmë për bashkatdhetarët tanë që nuk na harrojnë, dhe ne duket se i kemi harruar pak. Përvoja e kombeve të tjera të mëdha emigrantësh tregon se brezat e tretë dhe të katërt kthehen, nuk kam asnjë shpjegim pse. Mendoj se janë pikërisht këto vajza dhe djem që kanë një dëshirë të madhe për t'u kthyer. Shumë prej tyre kanë aplikuar edhe për shtetësi bullgare. Ata duan të mësojnë bullgarisht, por nuk ka kush t'ua mësojë, nuk ka mësues të gjuhës sonë atje. Kolegia e Radio Bullgarisë, Ruzhka Nikollova, e cila ndoqi zemrën e saj dhe shkoi në Argjentinë në vitet 80-të, udhëtonte nga Buenos Aires në Çako çdo javë për 12 vjet për të dhënë mësime të bullgarishtes. Sot, nuk ka më kush ta bëjë këtë."
Lexoni më shumë për bullgarët në Argjentinë nga koleksioni i Radio Bullgarisë:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Kirço Stoiçkov, comodoro.gov.ar, Radio Kombëtare Bullgare, Facebook /Nga e kaluara e rajonit Çiprovci, Facebook - Shoqëria Kulturore Bullgare "Ivan Vazov" - Beriso, Facebook /Shoqëria Bullgare "Kirill dhe Metodij", Komodoro Rivadavia, Krasimir Martinov