I shprehim mirënjohjen tonë mjekëve bullgarë në Ditën Botërore të Shëndetësisë

Me rastin e Ditës Botërore të Shëndetësisë - 7 prill, kryeministri Rosen Zheljazkov shprehu vlerësimin dhe respektin e thellë për mjekët dhe punonjësit e shëndetësisë në Bullgari, njoftoi BTA. "Ju jeni njerëzit që çdo ditë, me profesionalizëm dhe zemër, kujdeseni për jetën dhe shëndetin e çdo qytetari bullgar. Përkushtimi juaj, forca juaj dhe humaniteti juaj janë të paçmuar", theksoi kryeministri, cituar në një postim në faqen e Këshillit të Ministrave në Facebook. Sipas Zheljazkovit, kujdesi shëndetësor është shtylla kurrizore e një shoqërie të prosperuar, dhe për këtë arsye qeveria është e përkushtuar për modernizimin e sistemit, përmirësimin e kushteve të punës dhe sigurimin e aksesit në kujdesin mjekësor me cilësi të lartë për të gjithë. Ndër prioritetet janë ndërtimi i një Spitali Kombëtar për trajtimin aktiv të fëmijëve dhe krijimi i Qendrës Kombëtare të trajtimit me rrezatim me terapi protonike.
Ministri Sillvi Kirillov gjithashtu falënderoi mjekët për energjinë e tyre të palodhshme që e dhanë në profesion dhe për ngritjen e autoritetit të tij. Urimi është publikuar në rrjetin social Facebook, në profilin e Ministrisë së Shëndetësisë, transmeton BTA. Në fjalën e tij, ministri Kirillov siguron se i vlerëson lart përpjekjet e secilit prej tyre dhe shpreh gatishmërinë për një dialog konstruktiv që do të çojë në ndryshime pozitive, të dobishme edhe për pacientët, edhe për ata që punojnë në sektorin e shëndetësisë.