Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Dita e Bastunit të Bardhë na kujton problemet e të verbërve

Foto: BGNES

Nisma për të festuar 15 tetorin si Ditë të Bastunit të Bardhë filloi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1964 me një rezolutë të veçantë të kreut të shtetit. Ajo u pasua nga Federata Ndërkombëtare e të Verbërve, presidenti i së cilës në vitin 1970 e shpalli atë  - Ditë Ndërkombëtare të të Verbërve.

Veprimtaritë e para lidhur me kremtimin e tij në Bullgari u mbajtën në vitin 1980. Që atëherë e deri më sot, 15 tetori është një rast për t’u fokusuar mbi problemet e personave me probleme në të parin në Bullgari. Edhe këtë vit në të gjithë vendin po organizohen aksione për njohjen e shoqërisë me mundësitë e personave me dëmtim të të parit. Koncerte të ndryshme, veprimtari sportive, ekspozita kulinarie, kuize, kurse art terapie etj. i japin një nuancë festive.

Më 1 shtator të vitit 1905, në Sofje hapi dyert Instituti Shtetëror i të Verbërve, ku u shkolluan njëmbëdhjetë nxënës. Institucioni arsimor ishte i pari i këtij lloji në vendet e Ballkanit dhe ishte një prelud i lindjes së një lëvizjeje të organizuar të të verbërve në vendin tonë. Gati dy dekada më vonë u mbajt mbledhja themeluese e Shoqatës së të Verbërve, pasardhës i së cilës sot është Bashkimi i të Verbërve në Bullgari.

Rreth 10 000 qytetarë me aftësi të kufizuara të punës janë anëtarë të Bashkimit të të Verbërve, ndërsa nga 35 000 deri në 40 000 persona janë me mbi 50 për qind dëmtim në të parin, megjithëse nuk ka statistika përmbledhëse zyrtare. Problemet kryesore të tyre janë në fushën e punësimit dhe aksesit në arsim – këtë e shpjegoi në një intervistë për Radio Bullgarinë Vasill Dollapçiev, kryetar i Bashkimit të të Verbërve në vendin tonë.

Vasill Dollapçiev

“Një problem i rëndësishëm në qytetet e mëdha është aksesueshmëria e mjedisit arkitektonik dhe transportit. Nga ky këndvështrim, strukturat tona rajonale territoriale punojnë me bashkitë për përmirësimin e mjedisit. Ndonëse vitet e fundit u bë shumë për përfshirjen e të rinjve në formën e integruar të mësimit dhe për përmirësimin e mjedisit arkitektonik. Mjerisht e gjithë kjo bëhet me ritme të ngadalta dhe jo gjithmonë respektohen dokumentet normative.Politika e të ardhurave është gjithashtu e rëndësishme sepse garanton një standard të mirë jetese. Fatkeqësisht, një numër i madh i anëtarëve tanë kanë edhe sëmundje shtesë, gjë që kërkon trajtim sistematik me medikamente. Është e qartë për të gjithë se në sistemin shëndetësor në vendin tonë shumë nga procedurat janë me pagesë. Nga ky këndvështrim, politika e të ardhurave ndaj këtij grupi shoqëror ka një rëndësi thelbësore dhe këtu rolin kryesor e ka shteti. Vitet e fundit është bërë shumë në lidhje me personat me aftësi të kufizuara dhe në veçanti me paaftësitë e të shikuarit. Burimi për politikat sociale u rrit mjaft, por gjithmonë ka diçka për të dëshiruar. Gjëja më e rëndësishme që ne kërkojmë është një qasje dhe mbështetje individuale ndaj secilit person. Qëllimi është të jemi në gjendje të integrojmë një grup më të madh social në shoqëri.”

Sipas statistikave të Bashkimit të të Verbërve, vetëm në tre muajt e fundit u organizuan 18 shfaqje artistike dhe krijuese për personat me probleme të të parit, ku morën pjesë 170 persona. 22 konkurse në të cilat u përfshin mbi 200 persona dhe kjo thotë pa mëdyshje se këta njerëz kanë nevojë për komunikim dhe shprehje, për aq sa ambienti e lejon.

Për të parë me duart 

Në vitin 2016 në Galerinë Kombëtare “Kvadrat 500” u hap një ekspozitë speciale për njerëzit me probleme në të shikuarin. Ajo quhet “Prek galerinë” dhe deri tani është e vetmja galeri në vend që ka piktura të aksesueshme për publikun e verbër. Ekspozita e fundit këtu hapet më 17 tetor dhe i dedikohet gravurës  japoneze. “Deri më tani në ekspozitën e përgjithshme mund të shihen dhe të preken 4 nga veprat që janë pjesë e koleksionit përfaqësues të galerisë”, thotë Martin Kostashki, kurator në Galerinë Kombëtare “Kvadrat 500”:

“Vetë riprodhimet përbëjnë harta relievore taktile. Duke i prekur ato, një i verbër mund të marrë një përshtypje të asaj që është e vizatuar. Prezantohen vepra nga Zahari Zograf, Ivan Mërkviçka, Ivan Angellov dhe Nikolla Petrov, gjë që është një panoramë e artit bullgar. Kjo ekspozitë u jep këtyre personave mundësinë që të prekin veprat me duar.”

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: BGNES, BTA, nationalgallery.bg



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Foto: Kopshti i Fëmijëve

Një urë drejt së mirës - shembulli i mirë nga një kopsht bullgar

Qyteti i Breznikut, vendlindja e mbretit kombëtar të të qeshurit të hidhur Stojan Milenkov ,  ndodhet në Bullgarinë Perëndimore dhe është i treti më i madh në rrethin e Pernikut. Sipas të dhënave të fundit që nga marsi 2024, atje jetojnë 3 762..

botuar më 24-06-01 9.05.PD
Shtëpia e Dimitër Talevit në Prilep

Shtëpia e Dimitër Talevit nuk është monument kulture

Shtëpia e lindjes së shkrimtarit Dimitër Talev në Prilep nuk është pjesë e trashëgimisë kulturore të mbrojtur, thuhet në qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë së Veriut. Deklarata vjen një ditë pasi qeveria bullgare udhëzoi..

botuar më 24-05-31 1.19.MD

Dimensionet gjeostrategjike në zgjedhjet e ardhshme evropiane

Evropa përballet me zgjedhje të rëndësishme strategjike mes luftës së vazhdueshme në Ukrainë, e cila nuk tregon asnjë shenjë të de-përshkallëzimit në të ardhmen e afërt, dhe konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit, i cili kërcënon sigurinë rajonale dhe..

botuar më 24-05-29 1.15.MD