Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Tema nga radio rrjeti evropian "Euranet Plus":

A është euroja digjitale afër apo larg?

Foto: www.ecb.europa.eu

Aktualisht po punohet për futjen e euros digjitale në Eurozonë. Këtë muaj u publikua raporti i katërt mbi temën e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), pasi Komisioni Evropian publikoi propozimet legjislative për këtë çështje në fund të qershorit. Pritet që në vjeshtë Këshilli Drejtues i BQE-së të vendosë nëse do të vazhdojë në fazën tjetër të projektit. Çfarë do të sjellë evolucioni i monedhës së përbashkët evropiane?

Me euron digjitale, ashtu si me kartëmonedhat fizike, do të mundësohet pagimi i menjëhershëm me anë të smartfonit, por pa pasur nevojë për llogari bankare. Brukseli premton mbrojtje të plotë të të dhënave personale. Sipas propozimeve të Komisionit Evropian, njerëzit do të mund të kenë deri në 3000 euro në një portofol digjitalmund të përdoret edhe pa lidhje interneti. Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian i ngarkuar për ekonominë, Valdis Dombrovskis:

Euroja digjitale do të jetë një shtesë e mirë dhe logjike e parave të gatshme, por nuk do ta zëvendësojë atë. Të kesh euro digjitale në aplikacionin e një smartphone ose pajisjeje tjetër celulare do të jetë njësoj si të kesh kartëmonedha dhe monedha në xhep. Do të paguani po aq lehtë, edhe pa pasur nevojë për lidhje interneti. Vlera e euros digjitale në portofol do të jetë deri në një tavan të caktuar për të ruajtur stabilitetin financiar dhe për të shmangur një dalje të konsiderueshme të depozitave nga bankat. Ata që dëshirojnë të paguajnë mbi këtë kufi do të duhet të lidhin portofolin e tyre digjital me llogarinë e tyre bankare.

Nga Kina deri në SHBA, nga Xhamajka deri në Japoni dhe Indi, dhjetëra banka qendrore në mbarë botën po eksplorojnë mundësinë e monedhave digjitale, ose tashmë i kanë prezantuar. Ndër pozitivet e idesë së euros digjitale është se ajo do të krijojë konkurrencë për lojtarët privatë dhe zakonisht jo-evropianë në këtë fushë, si gjigantët amerikanë Visa dhe Mastercard, të cilët dominojnë tregun e pagesave me karta.

Aktualisht, dy të tretat e pagesave digjitale në BE përpunohen nga një pjesë e vogël e operatorëve globalë. Futja e euros digjitale do ta ndryshojë këtë. Do të lejojë lojtarët evropianë të marrin pjesë në një treg që aktualisht dominohet nga kompani të huaja”, thekson Dombrovskis.

Shumica e tregtarëve, me përjashtim të atyre shumë të vegjël, do të duhet të pranojnë euron digjitale si një mjet pagese në të njëjtin nivel me monedhën tradicionale.

Komisionerja Evropiane për Shërbimet Financiare Mairead McGuinness theksoi se nuk do të ketë kontrolle se si njerëzit mund të shpenzojnë monedhën digjitale dhe se ajo nuk do të përdoret për mbikëqyrje:

Shërbimet bazë për euron digjitale do të jenë falas, si hapja, apo mbyllja e një llogarie. Euroja digjitale do të jetë e lehtë për t'u përdorur për personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit ose njerëzit me aftësi të dobëta digjitale. Ajo do të shpërndahet kryesisht nga ofruesit privatë të shërbimeve të pagesave. Ata do të kenë të drejtë të imponojnë taksa, por do të ketë një limit për to që të mos ketë mbifaturim. Për çështjen e sigurisë, dua të bëj të qartë se ky nuk është një projekt i stilit të Big Brother. Për pagesat online me euron digjitale do të zbatohen të njëjtat rregulla si për pagesat digjitale ekzistuese dhe për pagesat offline kriteret do të jenë edhe më të larta, të ngjashme me tërheqjen e parave të gatshme nga një ATM”.

Euroja digjitale do të jetë e qëndrueshme, siguroi Komisioneri Evropian për Çështjet Ekonomike Paolo Gentiloni dhe shtoi:

Paraja e gatshme do të vazhdojë të ekzistojë. Edhe nëse Banka Qendrore Evropiane lëshon euron digjitale në të ardhmen, kushdo që dëshiron do të jetë në gjendje të tërheqë dhe të paguajë me para në dorë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për grupet vulnerabël, siç janë të moshuarit, të cilët përdorin paratë cash.

Por a janë evropianët gati të njohin versionin e ri digjital të euros? Në shoqërinë bullgare ka mendime të ndryshme për adoptimin e formës së saj tradicionale. Ja se çfarë mendojnë disa sofjanas për këtë ide:

Kam dëgjuar për euron digjitale. Në letër, ideja duket mirë, por nëse teknologjia do t'i përmbushë pritjet - nuk jam e sigurt për këtë. Është gjithashtu interesante se cilat do të jenë tarifat për këtë shërbim - më të larta apo më të ulëta. Ka shumë pyetje.

Mendoj se asnjë ide nuk duhet të refuzohet pa një debat të gjerë mbi këtë temë. Nuk mund të them nëse jam pro apo kundër, më duhet të lexoj më shumë për këtë temë.”

Mendimi i ekspertit është ai i ekonomistit Rumen Gëllëbinov. Çfarë tregojnë vëzhgimet e tij - në çfarë faze në BE është legjislacioni dhe procesi i përgjithshëm i futjes së euros digjitale? A do të bëhet fakt në të ardhmen e parashikueshme?

Rumen Gëllëbinov, Foto: Ani Petrova, BNR

Banka Qendrore Evropiane është mjaft e avancuar në procesin e futjes së euros digjitale. Pritet miratimi i Parlamentit Evropian dhe i Komisionit Evropian në mënyrë që kjo të bëhet fakt. Pritet që euroja digjitale të jetë në përdorim në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm. Është një vazhdim i natyrshëm i pagesave elektronike dhe i parasë elektronike. Shtohet vetëm përdorimi i teknologjisë blockchain.

Si do të ndryshojë euroja digjitale nga kriptovalutat?

Euroja digjitale do të jetë shumë e ngjashme me një kriptomonedhë, sigurisht që do të administrohet nga Banka Qendrore Evropiane. Ekziston një ent i qartë që do të rregullojë, mbikëqyrë dhe administrojë në mënyrë qendrore euron digjitale.

Çfarë komoditetesh pritet të sjellë dhe cilat janë sfidat që lidhen me të?

Teknologjia Blockchain ofron mundësi për kriptim më të mirë të këtyre transaksioneve, regjistrimin e tyre, në mënyrë që të ketë gjithmonë një gjurmë, që do të thotë se ndoshta do të ulet edhe mundësia e abuzimit, pra euroja digjitale do të jetë më e sigurt si mjet pagese. Kudo që të shkojë një person në Evropë, ai do të jetë në gjendje të paguajë pa pasur as para në dorë. Një garanci për euron digjitale, për të gjithë përdoruesit e saj, është se ka një menaxhim, rregullim dhe administrim të centralizuar të këtij procesi nga Banka Qendrore Europiane. Nuk është i tillë rasti me kriptovalutat e tjera. Madje Bitcoin-i është mjaft i decentralizuar, mjaft autonom, gjë që krijon njëfarë rreziku.

Është e arsyeshme pyetja se kush çfarë do të paguajë me euron digjitale dhe si do të kontrollohet që kjo të ndodhë vetëm për qëllime të mira dhe jo në dëm të konsumatorit masiv, prandaj është e rëndësishme që rregullimi dhe futja të bëhet gradualisht, thotë ekonomisti Rumen Gëllëbinov.

Shumë njerëz janë skeptikë se do të sigurohet 100 për qind mbrojtje adekuate e të dhënave të tyre, disa e konsiderojnë këtë ide si një plan për të eliminuar paratë fizike - a janë të justifikuara shqetësime të tilla?

“Në prezantimin e projektit, shkruhet dhe flitet gjithandej se qëllimi nuk është të hiqen nga përdorimi paratë fizike, pra ideja është që të vazhdojë përdorimi paralel i parave cash dhe i atyre digjitale. Por po, në një moment në të ardhmen, ndoshta për shkak të komoditetit të parave digjitale, do të reduktohet shumë qarkullimi i parave të gatshme.

Si do të përshtatet euroja digjitale në sistemin ekzistues financiar?

Është shumë e rëndësishme se çfarë procedurash do të publikojë Banka Qendrore Evropiane. Ajo luan një rol të madh si rregullator. Legjislacionet e vendeve të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe veçanërisht të atyre që janë në Eurozonë, këto 20 vende, duhet të konsiderojnë se si të adaptohen me këto rregulla dhe procedura të reja të Bankës Qendrore Evropiane, që do të kenë të bëjnë me euron digjitale. Ndoshta do të jetë e nevojshme në disa vende, dhe ndoshta në të gjitha, të bëhen ndryshime legjislative në ligjet e tyre vendore, në mënyrë që ky proces të harmonizohet kudo dhe të ketë përputhshmëri të plotë, domethënë të mos ketë problem me transaksionet ndërkufitare. Vitin e ardhshëm ka zgjedhje për Parlamentin Evropian dhe është shumë e mundur të pritet përfundimi i zgjedhjeve dhe Parlamenti i ri Evropian të merret me këtë paketë. Natyrisht që do të ketë një moment politik dhe do të ketë një debat të madh për këtë në Parlamentin Evropian, jam i sigurt”.

- shpjegon ekonomisti Rumen Gëllëbinov dhe shton se tani për tani paraja virtuale nuk i ka të gjitha kredencialet e parasë fizike - megjithëse përdoret tashmë si mjet pagese, vlera e saj ende formohet si mall tregu dhe si e tillë është e ndjeshme ndaj luhatjeve serioze, gjë që e bën atë të rrezikshme për investime.

Projektligji përfundimtar duhet të marrë mbështetjen e të gjitha 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të Parlamentit Evropian. Disa eurodeputetë të ekstremit të djathtë e kanë kritikuar tashmë idenë. Megjithatë, Banka Qendrore Evropiane e ka fjalën e fundit dhe nëse ajo jep miratimin e saj në tetor, euroja digjitale mund të hyjë në përdorim në vitet e ardhshme, duke lejuar Bashkimin Evropian të përshtatet edhe më shumë me digjitalizimin në rritje të ekonomisë.


Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Ky material është përgatitur në kuadër të rrjetit radio evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Tregu emblematik i mbuluar i Sofjes së shpejti do të jetë sërish i hapur për vizitorët

Riparimi i shumëpritur në shkallë të gjerë dhe restaurimi i pamjes dhe funksioneve origjinale të ndërtesës të njohur si " Halite "  në Sofje tani ka përfunduar. Vizitorët e parë do të mund të hyjnë dhe të blejnë atje më 23 maj. Kjo u raportua për..

botuar më 24-05-19 8.20.PD

Një kopje e "Thesarit të Artë të Panagjurishte" është ekspozuar në Burgas

Në Muzeun Arkeologjik në Burgas (Blvd. "Aleko Bogoridi" 21) u hap ekspozita "Thesari i Artë i Panagjurishtes". Kopja muzeale e thesarit më të famshëm bullgar është kthyer së fundmi nga një vizitë në Dubai dhe tani është e ekspozuar në sallën "Tresor" të..

botuar më 24-05-19 7.10.PD

Kuzhina etnike, kostume të lashta dhe orkide në "Natën Evropiane të Muzeve" në Burgas dhe Nesebër

Muzeu etnografik në Burgas do të mbajë erë ushqimi. Aty, drejtori i muzeut, dr. Milen Nikollov, do të demonstrojë personalisht kuzhinën etnike dhe aftësitë e tij në kuzhinë. Ai do të gatuajë mish derri me lëpjetë, qepë të njoma dhe mente sipas një recete..

botuar më 24-05-18 8.05.PD